Qeveria filloj me kompletim të bordeve të ndërmarrjeve publike

16:25 | 2 Shtator 2015
M. A.

Qeveria e Kosovës ka emëruar sot anëtarët e bordit të drejtorëve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT). Në krye të bordit të kësaj ndërmarrje është emëruar, Drita Kongjeli, ndërsa anëtar të tjerë janë; Nebi Zariqi, Gani Jashari, Anita Cucoviq, Musa Misini dhe Afrim Prekazi.

Përderisa qeveria është në fazën e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të ndërmarrjeve publike, si, Postës, KEK, Ujësjellësit, emërimi i anëtarëve të bordit të Agjencionit Kosovarë të Privatizimit (AKP), mbetet pikëpyetje nëse do të formohet, kjo për shkak se nuk ka interesim për këtë agjenci. Burime të “KosovaPress” kanë bërë të ditur se qeveria dhe vetë kryeministri, Isa Mustafa, ka telashe me propozimin e anëtarëve të bordit të AKP-së pasi askush nuk po e dëshiron të jetë në krye të kësaj agjencie. Anëtarët e Bordit, zgjedhën nga kuvendi por që zakonisht propozohen nga partnerët qeveritarë në koalicion.

Qeveria gjatë këtij muaji do të duhet të emëroj një pjesë të madhe të anëtarëve të bordit të ndërmarrjeve publike. Sokol Havolli, këshilltarë për ekonomi i kryeministrit Isa Mustafa, tha se kryeministri do ta mbajë fjalën dhe se do të kompletohen borde t e ndërmarrjeve publike. Por, Havolli nuk ka dashur të japë detaje për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të AKP-së.

 

“Procesi i seleksionimit i anëtarëve të bordit për ndërmarrjet publike është proces i cili ka vazhdua me një ritëm të përshpejtuar në javët e fundit, duke e marrë parasysh se edhe është afruar afati për të cilin kryeministri Isa Mustafa ka premtuar se do të kompletohen. Aktualisht është bërë seleksionimi prej afro 2000 aplikantëve të cilët kanë aplikua, është bërë ndarja e atyre të cilët i plotësojnë kriteret dhe në një periudhë shumë të afërt ndoshta gjatë gjithë dy deri në tri javëve ata do të ftohen për procesin e intervistimit dhe brenda kësaj periudhe presim që i gjithë ky proces të përmbyllet edhe ndërmarrjet publike të kenë bordet funksionale”, tha Havolli.

Ai po ashtu ka shtuar se emërimi i anëtarëve të bordit do të jenë profesionist dhe jo partiak. Duke mos dashur të përmend emra, tha se në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike do të emërohen persona publikisht të njohur.

 

“Do të jenë gjithsesi profesionist, pasi që janë shërbyesit civil ata të cilët merren me menaxhimin e procesit të seleksionimit dhe gjithsesi do të jenë edhe fytyra publike të cilët ju si media do të mund t’i vlerësoni nëse janë profesionist, mirëpo qëndrimi i qeverisë është se duhet të jenë profesionist të fushave që ata mbulojnë në këto ndërmarrje publike. Po mendoj ju do të mund t’i vlerësoni vetë, meqenëse do të jen? ? profesionist të fushave të tyre”, tha Havolli.

Ndryshe, sot në qeveri janë duke u intervistuar kandidatë për anëtar të bordit të Postës së Kosovës, në mesin e të intervistuarve është edhe kryetari i deritanishëm i bordit të drejtorëve të Postës, Halit Isufi, i cili gjatë periudhës sa ishte në bord të kësaj ndërmarrje kishte performancë mjaftë të dobët dhe i ndikuar politikisht. Në një bisedë përmes postës elektronike, të siguruar nga “KosovaPress”, ai kishte dështuar të shkarkonte për performacë të dobët krye shefin ekzekutiv , Sejdi Hoxhën , pasi këtë të fundit thuhet se e mbanin aty lidhjet e forta politike që kishte.

Shpërndaje në rrjete sociale