Nasim Haradinaj del kundër Ramush Haradinajt dhe mbron Presidentin

11:01 | 11 Nëntor 2018
A Z

Nënkryetari i OVL të UÇK, Nasim Haradinaj, thotë se e mbështet plotësisht idenë e presidentit Hashim Thaçi për ndryshim territorial. Madje ai thotë se kjo kërkesë është e vonuar.

“Nuk ka asnjë kryeministër ose president që do ta nënshkruajnë aktin e një tradhtie me i pranu territoret e veta jashtë. Territoret tona dihen dhe nuk do të ndryshojnë por nëse vjen nji territor tjetër, kujt është ka i pengon? Kjo ide me pëlqen”, është shprehur Haradinaj.

I pyetur se sa i duket e besueshme kjo ide, ai thotë se as çlirimi i Kosovës nuk ka qenë i besueshëm por ka ndodhur.

“Unë fallxhi nuk jam me qit fall.. por unë ju besoj ideve të mira. Shumë e pabesueshme ka qenë për këtë popull se na mundem me luftu. Çfarë te keqe kemi nëse iu bashkohen Kosovës Presheva, Medvegja dhe Bujanovci çfarë të keqe ka me tentu”, thotë me tej ai.

Presidenti, Hashim Thaçi, është duke u angazhuar që në negociatat me Serbinë të shtrojë në tavolinë bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës. Sipas presidentit Thaçi kjo nuk do të thotë se i hapë rrugë ndonjë autonomie për veriun, dhe se nuk ka të bëjë me shkëmbim të territorit.

Korrigjimi i kufirit me Serbinë ka ngjallur debat edhe në nivel të aleatëve ndërkombëtarë të dyja shteteve. Shumë prej tyre kanë shprehur qëndrimin se mbështesin çfarëdo marrëveshje për të cilën do të binin dakord dyja palët./M.Avdimetar/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale