Zyra e Presidencës njoftoi sot në mbrëmje se Kreu i Shtetit “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”.
Formulimi, lë të kuptosh atë që Meta kishte paralajmëruar një ditë më parë, kur gjatë një interviste, ju referua rastit të Italisë të para pak muajve më parë, kur presidenti italian kishte vënë veton kundër emrit të propozuar për ministër të Ekonomisë.
Mbetet për të parë se cila do të jetë forma zyrtare që Presidenti do t’i japë vendimit të tij. Në rastin e dekretit për shkarkimin e Xhafajt, pas dorëheqjes së tij, Kreu i Shtetit i referohet qartësisht neneve të Kushtetutës për firmën që ka hedhur mbi dekret. Ndërsa, fraza e shkurtër e shpërndarë nga zyra e tij e shtypit, për rastin e Lleshit, nuk ka asnjë referencë ligjore. Për më tepër që ajo nuk rezulton të jetë e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës. Nga ana tjetër, në asnjë nen të saj, Kushtetuta nuk parashikon rrëzimin nga ana e Kreut të Shtetit, të propozimit të një ministri.
Përveç faktit që Kushtetuta parashikon se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”, ka dhe një precedent që shkon kundër qëndrimit të mbajtur aktualisht nga Meta. Vitin e shkuar, ish presidenti Bujar Nishani, i cili u shfaq publikisht kundër propozimit për emërimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pranoi megjithatë se nuk kishte kompetenca për ta refuzuar atë.
Por Meta bëri mbrëmë një tjetër interpretim. “Kushtetuta është shumë e qartë: Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Përndryshe, Presidenti nuk do ta kishte këtë mundësi dhe këtë instrument konfirmimi, verifikimi, kontrollimi, dhe garantimit të integritetit të çdo ministri.”
Formulimi i shpërndarë nga Presidenca, gjithashtu nuk ofron arsyet e qëndrimit të Kreut të Shtetit ndaj emrit të Sandër Lleshit. Në rastet kur presidenti dekreton kthimin pas të një ligji në parlament ai e shoqëron atë me të gjitha shpjegimet ligjore, ndërkohë që në këtë rast, gjithshka mbetet e paqartë, ndonëse bëhet fjalë për një vendim jo pak të rëndësishëm.
Për më tepër qëndrimi i presidentit rrezikon që sipas të gjitha gjasave të hapë një konflikt kostitucional, dhe një përplasje të fortë me qeverinë, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese është jashtë funksioneve./ Zëri Amerikës./VOA
Stafi dhe turistët mes 25 të vrarëve në zjarrin e një klubi ...
56 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
Kallas: SHBA dhe Evropa duhet të qëndrojnë të bashkuara
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...