Gur themeli i Xhamisë Qendrore në Prishtinë ka një mesazh.
Mirëpo, përkundër kësaj, ka tri ditë që me investimin turk, kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë.
Kjo është zona ku, sipas projektit të kompanisë turke “KOMAS” dhe Bashkësisë Islame do të ndërtohet xhamia. Për këtë, BIK-u ende nuk ka marrë leje nga komuna e Prishtinës.
Mirëpo, në parkingun e Postës dhe Telekomit të Kosovës, shihen makineritë që kanë filluar të punojnë.
Për T7 nga Komuna e Prishtinës thonë që kjo i lejohet BIK-ut edhe pse nuk ka marrë leje.
“Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka më shumë se një vit që i ka marr kushtet ndërtimore, dhe sivjet ka aplikuar për vazhdimin e afatit të tyre. Kur pala i merr kushtet ndërtimore nga Komuna, mund ta bëjë rrethimin e punishtes, heqjen e shkurreve, e të ngjashme. Zhvillimet aktuale në terren, janë në kuadër të kësaj. Përndryshe, BIK ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit”
E nga ana e BIK-ut nuk është caktuar ende një datë e saktë se kur do të fillojnë punimet.
“Është duke u bërë parapërgatitja e terrenit, po bëhet rrethoja. Njëherë nuk janë të parapara të fillojnë ndërtimet, janë duke u bërë vetëm disa punë teknike, por nuk kam ndonjë datë së kur do të fillojë ndërtimi.”
Temë diskutimi, për ndërtimin e Xhamisë Qendrore është bërë edhe lokacioni. Fillimisht ishte paraparë që të ndërtohet në Kampusin Universitar, mirëpo gur themeli u vendos pranë PTK-së, në 2012.
Këtë lokacion ka qytetarë që nuk e shohin si të duhurin për ndërtimin e një xhamie.
“Nuk mendoj që duhet me u ndërtu xhamia në qendër. Xhamia duhet me u ndërtu, por vendi nuk është i duhuri.”
Mirëpo, ka edhe nga ata që ndërtimi i Xhamisë Qendrore pranë Postës së Kosovës është në rregull.
“Ka nevojë për me u ndërtu xhamia këtu, xhemati diçka…”
“Është ma afër njerëzve…”
Përveç lokacionit, kundërshtime ka pasur edhe për arkitekturën e ndërtimit të xhamisë. Vitin e kaluar, në drejtim të Komunës së Prishtinës dhe Bashkësisë Islame kishte shkuar një letër nga Yll Rugova, tash drejtor i kulturës në këtë komunë.
“Objekti i përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës ka stil arkitektonik tërësisht në kundërshim me kontekstin dhe ambientin përreth të lagjes për shkak se është projekt me stil arkitektonit të shekullit XV dhe XVI, përdersia objektet përreth i takojnë stilit modernist utilitarian të arkitekturës. Objekti poashtu nuk e përmbush kriterin e “origjinalitetit arkitektonik” të përshkruar në faqen 54 të konkursit, përderisa ndërtesa në fjalë është kopje e një ndërtese tjetër në shtet tjetër”
Ditë më parë, kundër kësaj ka dal edhe deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu. Në një koment në rrjetin social Facebook, deputeti ka thënë se është i gatshëm të japë 100 euro për ndërtimin e Xhamisë Qendrore sipas projektit të Zaha Hadid.
Projekti për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë kishte filluar në shkurt të vitit 2012, mirëpo deri tani ende nuk kanë filluar punimet për ndërtimin e saj.
Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregulla...
Shisnin drogë pranë shkollave në Durrës, ekzekutohen masat e...
Vdes zyrtarja policore, Policia shpreh ngushëllime
Gjashtëmbëdhjetë nxënës të vrarë në zjarr në një shkollë në ...
Maran zbardh listën e Shqipërisë për miqësoret e qershorit
QKUK: I plagosuri nga sulmi me thikë në Mitrovicë jashtë rre...