Këshilltari i Mustafës ia kujton Thaçit nenin ku flitet për tradhtinë kombëtare

17:22 | 31 Gusht 2018
M. A.

Avokati dhe këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Berisha, i ka sugjeruar presidentit Thaçi që para se të flasë për shkëmbim të territoreve, duhet ta lexojë nenin 124 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës në të cilin flitet për tradhtinë kombëtare.

Siç shkruan Berisha, ideja për shkëmbim te territoreve dhe rishikim të kufijve është një vepër që cilësohet si tradhti ndaj vendit dhe dënohet me 15 vjet burg.

“Hashim, thuaj dikujt le ta lexon ligjin, para se te premtosh “korrigjim” te kufirit. Për te gjithë ata pushtetarë qe me gjuhen e tyre, kinse te moderuar, po i vardisen Serbisë dhe po premtojnë rishikim te kufirit si alternative me u pajtu me Serbinë, ua rekomandoj që ta lenë ketë “muhabet” dhe ta konsultojnë Kodin Penal te Republikës së Kosovës, respektivisht nenin 124, paragrafi 2.Nje veprim i tille cilësohet si tradhti ndaj vendit dhe sanksionohet me se paku 15 vite burgim”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.

Ai i ka thënë se burgu është i rëndë për Thaçin dhe s’mund ta durojë.

“Ndaj, shijoni milionat qe i keni nga pushteti, e lëreni ketë cope toke tek mileti. P.S. Burgu është i rëndë, ju s’mund ta duroni”, ka përfunduar Berisha.

Ndryshe ideja e Thaçit dhe Vuçiqit për shkëmbim të territoreve është konsideruar e rrezikshme dhe është kundërshtuar nga gjithë klasa politike në vend.

Kundër kësaj ideje kanë dalë edhe shumë diplomat të huaj të cilët kanë thënë se prekja e kufijve do të destabilizonte të gjithë Ballkanin.

Shpërndaje në rrjete sociale