Tahiri përsërit: Asociacioni nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit ekzekutiv

18:35 | 20 Gusht 2015
M. A.

Ministrja pa protofol e Republikës së Kosovës dhe njëherësh udhëheqëse e delegacionit kosovar në bisedimet teknike me palën serbe në Bruksel, Edita Tahiri, në një intervistë për KosovaPress ka theksuar edhe njëherë se dilemat se Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë kompetenca ekzekutive nuk qëndrojnë dhe se një gjë e tillë, nuk do të ndodhë.

E pyetur nga KosovaPress se, në rast se ky asociacion formohet sipas dyshimeve të opozitës , e të ketë kompetenca ekzekutive, a do të dorëhiqet nga posti që mban, ajo me bindje tha se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, dhe se rrjedhimisht një dorëheqje e saj, ashtu siç kishte thënë kohë më parë se do ta ofronte në rast se asociacioni ka mandat ekzekutiv nuk ka pse të ndodhë.

“Qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë si Qeveri e Kosovës, është që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, me fjalë të tjera nuk mund të jetë ndonjë nivel i tretë i pushtetit ekzekutiv. Këtë e kam thënë edhe më herët dhe po siguroj qytetarët se kjo do të jetë kështu. Nuk d o të ketë kompetenca ekzekutive. Përse po jam kaq e sigurt? Sepse ne si delegacion i Republikës së Kosovës kemi mandat të negociojmë në Bruksel marrëveshje që janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës… Mbi këtë mandat ne angazhohemi për realizimin e Marrëveshjeve. Pra nuk mund të ketë marrëveshje për asociacionin në qoftë se shkon në kundërshtim me Republikën e Kosovës”, tha Tahiri.

Ndryshe opozita vazhdimisht ka kundërshtuar themelimin e këtij asociacioni, pasi që sipas tyre ai do të ketë kompetenca ekzekutive duke krijuar një shtet brenda shtetit të Kosovës.

Madje për këtë cështje sot Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një aktivitet simbolik për t’i thënë jo formimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovës.

Intervistën e plotë me Edita Tahirin KosovaPress do ta publikojë, nesër, e premte.

Shpërndaje në rrjete sociale