Tiranë: Sherr për një pasagjer, plagoset me thikë shoferi i furgonit

20:07 | 19 Gusht 2015
M. A.

Konflikti për pasagjerët në vendqëndrimin e furgonëve Shkodër – Tiranë është bërë motiv që dy shoferë furgonësh të përplasen me njëri – tjetrin, e ku nuk mungoi as përdorimi i armës së ftohtë, thikë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15.30 pranë Radio Shkodrës në kryeqendrën e veriut, ku pas një debati të nisur fillimisht me fjalë, një shofer furgoni i linjës së Tiranës, u qëllua me thikë nga një tjetër shofer. Origjina e sherrit mes tyre ka qenë konflikti për një pasagjer, pasi i dëmtuari i ka marrë një person në mjetin e tij, në mënyrë që të nisej më parë.

Shoferi tjetër është afruar duke i kërkuar llogari dhe sipas burimeve në vendngjarje, i është drejtuar kolegët të tij me fjalët: “Është orari im, përse me merr pasagjerët”. Por ky i fundit i është kundërpërgjigjur se çdokush është i lirë të udhëtojë me kë të dojë dhe pasagjeri erdhi tek unë pasi do nisem më shpejt, raporton Ora News.

Pas këtyre fjalëve, dy drejtuesit e automjeteve kanë nisur të debatojnë me tone më të ashpra, ku nuk kanë munguar as fjalët fyese. Acarimi ka shkuar deri aty sa shoferit të cilit ju mor pasagjeri, të nxirrte thikën dhe të godiste kolegun e tij duke e lënë të plagosur në pjesën e barkut. Ky i fundit u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës ku ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha, ndërsa autori u arrestua pak minuta pas ngjarjes nga policia.

Blutë e Shkodrës kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje, ndërsa në pyetje po merren edhe drejtuesit e tjerë të furgonëve të kësaj linje.

Shpërndaje në rrjete sociale