Se banorët e Drenasit po rrezikohen nga kanceri i cili po vjen nga tymi i Fabrikës së Ferronikelit, e mohon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, duke arsyetuar se matjet në cilësinë e pluhurit në territorin e Kosovës kanë rezultuar të jenë më të ulëtat në Drenas. Ministria e Mjedisit thotë se Fabrika e Ferronikelit është problemi më i vogël i ndotjes së ajrit që ekziston në Kosovë.
Sipas tyre ndotësit më të mëdhenj në Kosovë janë Trepça dhe KEK-u , kurse për to nuk bëhen publikime.
Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në një konferencë për media të thirrur sot për të sqaruar lidhur me ndotjen e ajrit në Drenas nga Fabrika e Ferronikelit, tha se duhet gjetur argumente, dhe vetëm atëherë do të mbyllet kjo fabrikë.
“Ferronikeli dhe problemi i ndotjes së mjedisit nuk është problem politik, është një ndër problemet më të vogla të ndotjes që ekziston në Kosovë… Nuk po bëhemi avokatë të Ferronikeli, as që e kemi plan me u bo të askujt po mos të harrojmë që është një operator ekonomik i cili nëse popullata ka argumente ne i gjejmë, ne do ta mbyllim. Mirëpo përderisa nuk ke lëndët shkojnë në gjyq” tha Morina.
Morina tha se nga muaji janar-shkurt, kur edhe është ngritur problemi i Ferronikelit, Ministria e Mjedisit ka dërguar stacione mobile për matjen e ajrit, ku parametrat e këtyre stacioneve tregojnë që vetëm pluhuri ka tejkalime. Nga këto ka rezultuar që parametrat më të ulëta të pluhurit janë në Drenas.
“Ne ballafaqohemi me Trepçën dhe KEK që janë ndotës tepër më të mëdhenj dhe shumë pak bëhen publikim për to, kurse një kompani që është e para që ka marrë leje të integruar dhe e para rigorizisht inspektohet prej inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit ka ardhur në një gjendje ku do të jep llogari…Në momentin kur është ngrit p roblemi i Ferronikelit do të thotë në janar -shkurt të këtij vit, prej diku mars na e kemi qu stacionin mobil. Deri në mars i kemi të dhënat e stacionit tonë fiks, ku parametrat tregojnë që vetëm pluhuri ka tejkalime, por në Drenas është 50.9 por 50 është limiti, në komuna tjera është pak më e nalt se në Drenas”, tha Morina.
Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik, Latifete Latifi tha se nga monitorimet e organizatave joqeveritare të monitoruara nga instituti Hidrometeorologjik, për analizën e pluhurit në Drenas ka dalë se ky pluhur nuk ka prezencë të rrezikshmërisë nga metalet e rënda.
“Kemi bashkëpunuar me një organizatë joqeveritare përmes së cilës instituti jonë apo agjencioni ka kontribuar në këshillë-dhënie organizatës joqeveritare i kemi orientu ku të shkojnë me bo monitorim, dhe të cilët janë orientu nga ana jonë që të shkojnë në Drenas. E në këtë monitorim e kanë marrë analizën e pluhurit dhe analizën e përmbajtjes së pluhurit, nga kjo përmbajtje e pluhurit është dalë se nuk ka prezencë të rrezikshmërisë nga metalet e rënda”, tha Latifi
Asamblistët e Kuvendit Komunal të Drenasit, përfaqësues të fshatrave dhe përfaqësues të OJQ-ve, kanë protestuar sot para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të shprehur shqetësimet e qytetarëve për rrezikun për shëndetin e tyre. Ata thanë se kjo ministri po bën “vrasje masive të njerëzve”, pasi që numri i të prekurve nga kanceri dy vitet e fundit ka shënuar rritje drastike.
Protestuesit bënë me dije se në protestën e ardhshme të pranishëm do të jenë edhe vetë qytetarët.
Vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë
Kuvendi i Komunës së Prishtinës sot me seancë të jashtëzakon...
OVL e UÇK-së organizon sot homazhe për Ditën e Veteranit
Moti sot i vranët dhe intervale me diell, temperatura deri n...
18 raste me fruth në Shqipëri, përgjatë vitit 2025
Tifogrupi “Shvercerat” lëshon ultimatum për pronarin e Shkup...