PSD-ja sot fillon me mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme

10:07 | 7 Gusht 2018
V. S.

Partia Socialdemokrate (PSD) pritet që gjatë ditës së sotme të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ta votuar rezolutën për dialogun Kosovë – Serbi. Kjo iniciativë është marrë pasi kërkesa e tyre dërguar kryeparlamentarit Kadri Veseli për të thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është shpërfillur. Mirëpo këtë iniciativë po e konsiderojnë të paarsyeshme zyrtarë nga partia opozitare më e madhe në vend – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilët për “Zërin” kanë thënë që për këtë ka qenë seanca e fundit e sesionit pranveror dhe nuk ka nevojë më për seanca të tilla, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ndërkaq ende të pavendosur në lidhje me kërkesën e PSD-së janë shprehur deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë thënë që janë duke pritur kërkesën zyrtare për ta shqyrtuar.

PSD: Në këtë situatë Kuvendi nuk duhet të pushojë

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, për “Zërin” ka thënë që ky subjekt opozitar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme e ka bërë të premten, por që kjo kërkesë është injoruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. “Kërkesa jonë për seancë të jashtëzakonshme është dorëzuar të premten pasdreke. Ne kemi pranuar një përgjigje në lidhje me kërkesën tonë nga kryetari i Kuvendit në të cilën ai shpërfill Rregulloren, pra nuk thërret mbledhjen”, ka thënë Sejdiu.

Mirëpo sipas tij, ky subjekt nuk do të ndalet dhe nga dita e martë do të fillojnë të kërkojnë përkrahjen e grupeve parlamentare. “Ne nga nesër do të kërkojmë përkrahjen e grupeve tjera parlamentare. Situata në vend nuk është e tillë që i mundëson Kuvendit pushim”, ka theksuar Sejdiu.

LDK-ja nuk do ta përkrahë kërkesën e PSD-së, LVV-ja ende s’ka vendosur

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, për gazetën “Zëri” ka thënë që ky subjekt opozitar sipas të gjitha gjasave nuk do të përkrahë këtë kërkesë sepse nuk ka asnjë efekt. “Ne nuk kemi marrë asnjë qëndrim dhe realisht sesioni pranveror ka përfunduar dhe kjo pjesë e punës së legjislativit ka përfunduar e nuk besoj që Lidhja Demokratike e Kosovës do të përkrahë një kërkesë të tillë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse ne e kishim një debat në Kuvend për këtë çështje dhe mund të them se nuk besoj që do të ketë ndonjë rezultat dhe nuk mendojmë që janë dobiprurëse”, ka thënë ai.

Kurse Arbërie Nagavci, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë që do ta presin kërkesën zyrtare për seancë të jashtëzakonshme, duke shtuar se sjellja e PSD-së në këtë rast është e çuditshme. “Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk e kemi shqyrtuar këtë kërkesë, sepse ende nuk e kemi pranuar në mënyrë zyrtare. Kjo kërkesë është e çuditshme sepse ne kishim një mbledhje, në të cilën u diskutua për dialogun Kosovë – Serbi, ku një pjesë e madhe e deputetëve jo vetëm që nuk mori pjesë fare në diskutim, por as nuk qëndroi në seancë dhe për më tepër Kryesia do të duhej që në mbledhjen e vet të merrte vendim për pushime dhe t’i shqyrtonte të gjitha opsionet ose arsyet e shkuarjes në pushim”, ka thënë Nagavci për gazetën “Zërin”

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për të vazhduar punën në Kuvend për shkak të gjendjes aktuale. “Ne si deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e Kryesisë qemë të gatshëm për t’i vazhduar punimet deri në zgjidhjen e çështjeve që janë shumë të rëndësishme, kështu që se si do të veprojmë do të vendosim pasi ta kemi kërkesën zyrtare”, ka thënë ajo.

Tutje Nagavci u shpreh skeptike lidhur me rezultatet që do të arrihen në këtë drejtim./ZËRI/

Të ngjashme