Rregullohen dhe pastrohen shtretërit e lumenjve në Podujevë

18:43 | 18 Gusht 2015
M. A.

Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH) e Komunës së Podujevës këto ditë është duke realizuar projekte për pastrimin dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve, me qëllim të mënjanimit rrezikut nga vërshimet dhe minimizimit të dëmeve që po shkaktohen sidomos në bujqësi, si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati, njoftoi shërbimi i informimit i Komunës.

Drejtori i DSHPMSH, Faik Muçiqi, tha se punimet në pastrimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve janë duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe pret finalizim e tyre me kohë.

“Janë duke u zhvilluar punime në zgjerimin dhe pastrimin e shtratit të lumit Batllava, ku nga vërshimet çdo vit janë shkaktuar dëme kryesisht në pronat bujqësore, pastaj lumin në Bellopojë, Tërnavë, Halabak, nga rruga Lluzhan – Orllan, me gjatësi 19.3 km”, tha Muçiqi.

Ai shtoi se krahas realizimit të këtyre projekteve janë duke u zhvilluar procedurat e tenderimit edhe për rregullimin dhe pastrimin e shtratit të lumit nga fshati Shtedim deri në Miroc në një gjatësi 3.3 km dhe nga Shtedimi në fshatin Dumnicë në gjatësi 3.5 km.

Punët në pastrimin dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve në këto fshatra është duke i kryer kompania “Bini”.

Shpërndaje në rrjete sociale