Çakmaku: Me buxhet të komunës do të paguajmë 85 anëtarë të 52 xhamive të Prishtinës

00:31 | 13 Tetor 2021

Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga radhët e partisë “Fjala”, Avni Çakmaku, ka deklaruar për televizionin Klan Kosova se në rast se fiton mandatin e të parit të kryeqendrës së Republikës së Kosovës, do të gjejë mënyrë bashkë me këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë, që t’i paguajë me buxhet të komunës, 85 anëtarë të personelit të 52 xhamive të cilat gjenden në Prishtinë e që janë nën ombrellën e BIK-ut.

“Kjo është e mundur, vetëm nevojitet nikoqirllëk. Vija buxhetore e Komunës së Prishtinës për mallra dhe shërbime, shpenzimet për dreka e darka zyrtare e shpenzon në mbi 5 përqind buxhetin, që është milionëshe”, ka thënë Çakmaku.

“Me këshillin e Bashkësisë Islame për Prishtinë do të shohim mundësinë se si mundemi që personelin e xhamive që funksionojnë brenda komunës sonë e që janë 52 me një personel prej afërsisht 85 personave t’i akomodojmë brenda buxhetit komunal. BIK-u nuk ka të hyra të rregullta dhe pagesa për personelin është shumë e vështirë dhe kontributi i tyre në ngritjen pozitive të të rinjve të komunës sonë është shumë i madh”, ka deklaruar ky kandidat.

Kandidati nga “Fjala” për të parin e Prishtinës, deri tani nuk ka mbajtur fushatë elektorale në prani të mediave e as nuk ka publikuar fotografi a video në rrjete sociale të ndonjë takimi me qytetarë.

Një takim të organizuar e kishte të martën me këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë, por ai u anulua meqë kryetari i këshillit pati rast vdekjeje.

Lajmet më të lexuara