Cakolli i KDI-së: Partia Romani Iniciyativa në Graçanicë mori dyfish më shumë vota se numri i qytetarëve rom që jetojnë atje

17:09 | 22 Shkurt 2021

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli ka thënë se subjekti politik Romani Iniciyativa pritet të fitojë edhe mandatin e dytë në Kuvend si pasojë e votave të marra në komunat me shumicë serbe.

Sipas tij, C Romani Iniciyativa mbi 70% të votave i ka fituar në ato komuna ku jetojnë vetëm 10% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të komunitetit rom.

Ky është postimi i plotë i tij:

Votat e fituara nga subjekti politik Romani Iniciyativa janë në shpërputhje me shtrirjen demografike të komunitetit rom në Kosovë, si dhe cenojnë përfaqësimin e drejtë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kuvend.

Mbi 70% të votave të fituara nga Romani Iniciyativa janë në komunat me shumicë serbe, ku në fakt jetojnë vetëm 10% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të komunitetit rom. Vetëm në Graçanicë, Romani Inicyativa ka fituar 1,620 vota, apo gati dyfish më shumë se numri i përgjithshëm i qytetarëve rom që jetojnë atje. Në këtë komunë, Romani Inicyativa ka fituar gati gjysmën e votave të përgjithshme, të cilat në dukje të parë, janë mbetje krahasuar me votat që Lista Serbe ka pasur në zgjedhjet e vitit 2019 (duke ia shtuar edhe votat e Adrijana Hodzic).

Po ashtu, edhe në Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Ranillug, Partesh dhe Kllokot, Romani Iniciyativa ka fituar vota më shumë sesa që ka banorë rom të deklaruar, e madje në disa prej tyre ka fituar vota, ndonëse atje nuk ka asnjë banor të deklaruar nga komuniteti rom.

Me numrin e dyshimtë të votave të fituara, ky subjekt pritet të fitojë mandatin e dytë në Kuvend, në kuadër të mandateve të ndara për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, edhe pse në fakt komuniteti rom ka numrin më të vogël të banorëve ndër këto tri komunitete.

Sipas një logjike të tillë të veprimit, lehtësisht në legjislaturat e ardhshme mund të kemi subjekte politike të komuniteteve, që mund të mos marrin fare vota nga komunitetet përkatëse, të cilat ata supozohet se i përfaqësojnë. E kjo pastaj, ia humb kuptimin ekzistimin e vendeve të garantuara për komunitetet.

Se a do të kishte reagim ndryshe nga akterët vendorë apo ndërkombëtarë në një situatë të atillë, s’di çka them…

LEXO EDHE:

Kryeziu: Votat për Adrijana Hodzic, delegjitimojnë vendet e garantuara për boshnjaket – Arbresh.info

Lajmet më të lexuara