“S’gjeta mirëkuptim”, Basha paralajmëron se mbi 80 mijë zyrtarë publikë mund të mbesin pa paga

15:57 | 30 Tetor 2025
E.H

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se qëllimi i mbledhjes ka qenë hapja e diskutimeve për tri çështje kryesore dhe disa pika të tjera të rendit të ditës. Ai theksoi se arsyeja e vetme e thirrjes së kësaj mbledhjeje ishte se vendi ndodhet në rrethana të jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se nuk gjeti vullnet politik te partitë politike sa u përket këtyre çështjeve. I pari i Kuvendit shtoi se kishte paraparë që të premten, 31 tetor, të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.

“Fillimisht ju njoftojë që arsyeja e vetme ka qenë se jemi në rrethana të jashtëzakonshme. Çështja e parë ka qenë ajo e buxhetit të RTK-së. Kam takuar Sindikatën dhe Bordin, ndërkohë që drejtorit i skadon mandati të premten, dhe RTK-ja aktualisht është pa buxhet. Pas diskutimeve që kam zhvilluar me ta, si kryetar i Kuvendit, kam dhënë mbështetjen time për të gjetur mënyrën e vetme për të ecur përpara. Ne si Kryesi themelojmë grupet parlamentare dhe bëjmë ndarjen e komisioneve parlamentare, të cilat i votojmë në një seancë. Pastaj kam kërkuar që të votohet raporti i RTK-së në Komisionin për Buxhet dhe Financa, në mënyrë që të mundësohet ekzekutimi i buxhetit për RTK-në që duhet të ndodh brenda ditës”, tha Basha.

“Kam paramenduar që do të gjej mirëkuptim sot te anëtarët e Kryesisë, rrjedhimisht kam dashur të bëj kërkesë me ftu seancë të jashtëzakonshme nesër në mëngjes për me përfundu themelimin e komisioneve që kanë mundur menjëherë pas seancës me votu raportin e RTK-së dhe RTK-ja me pas buxhetin ku edhe drejtori ka pasur mandat për ekzekutimin e pagave”, tha ai./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale