Zyrtare: Viktor Gyokeres lojtari më i ri i Arsenalit

20:36 | 26 Korrik 2025
R J

Arsenali ka konfirmuar se Viktor Gyokeres i është bashkuar klubit me një kontratë pesëvjeçare nga Sporting Lisbona.

Marrëveshja ka vlerë fillestare prej 63.5 milionë euro, me 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh.

Gyokeres do të veshë fanellën me numrin 14, atë që dikur e mbante Thierry Henry, dhe tani do t’i bashkohet skuadrës së Arsenalit në turneun parasezonal në Singapor.

Arsenali e konsideron Gyokeres si një nga sulmuesit më të kompletuar të futbollit modern, duke vlerësuar te ai forcën fizike, aftësitë teknike dhe inteligjencën taktike.

Negociatat me Sportingun kanë qenë të gjata dhe janë udhëhequr nga drejtori sportiv Andrea Berta, me përfshirjen e bordit drejtues, stafit të rekrutimit dhe atij juridik në një përpjekje të koordinuar.

 

Arsenali e sheh Gyokeres si një sulmues dominues. I fortë me të dyja këmbët, fizik, i aftë të mbajë topin, të ushtrojë presion pa top dhe, më e rëndësishmja, me instinkt natyral për gol.

Kjo vërtetohet nga 97 gola dhe 28 asistime në vetëm 102 paraqitje gjatë dy sezoneve të fundit.

Marrëveshja ishte shtyrë deri në momentin kur agjenti i Gyokeres pranoi të hiqte dorë nga një komision 10 për qind që i takonte nga ana e Sportingut, gjë që i bindi portugezët të ulin kërkesën prej 80 milionë eurosh./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme