Xhaka pas transferimit tek Sunderland: Jemi kthyer aty ku ky klub e meriton të jetë, tani duam të shkruajmë histori

12:05 | 30 Korrik 2025
D.H

Granit Xhaka edhe zyrtarisht është transferuar tek Sunderland, skuadër e kjo e inkuadruar këtë sezon në Premier League, por me synime të qarta për të vazhduar në elitën e futbollit anglez.

Xhaka ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare e cila e mban të lidhur me këtë klub deri në verën e vitit 2028, shkruan Arbresh.info.

Pas prezantimit ai foli edhe për herë të parë si lojtar i Sunderlandit. Kapiteni i kombëtares së Zvicrës u shpreh i lumtur me këtë transferim.

“Jam shumë krenar që jam këtu. Që në momentin që fola me klubin, ndjeva emocion dhe një energji pozitive, si nga njerëzit ashtu edhe nga lojtarët. Ishte pikërisht ajo që doja dhe kam një ndjesi shumë të mirë”, tha fillimisht ai.

Më tej, Xhaka foli për pritshmëritë e tij me klubin.

“Jemi kthyer aty ku ky klub e meriton të jetë, dhe tani duam të qëndrojmë këtu për të shkruar historinë tonë.”

“Ndjej se jam gati ta ndihmoj skuadrën me përvojën time, por edhe me cilësinë. Duhet ta gjejmë ritmin tonë në fushë, por nuk besoj se kjo do të jetë problem i madh. Ka kaluar kohë duke pritur këtë moment, por tani jam këtu dhe mezi po e pres fillimin”, u shpreh futbollisti me prejardhje nga Kosova.

Granit Xhaka rikthehet pas dy viteve në Premier League ku së fundmi ka luajtur tek Arsenali nga 2016-ta deri në 2023.

Ndeshjen e parë me Sunderlandin në elitën e futbollit anglez, Xhaka do ta luaj nda West Ham United./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale