Xabi Alonso vazhdon të ‘shtrengojë’ skuadrën në aspektin e rregullave dhe diciplinës

17:30 | 12 Nëntor 2025
D.H

Sipas gazetarit investigativ Romain Molina, gjatë kohës së Carlo Ancelottit në krye të Real Madrid, disa lojtarë kishin krijuar një kulturë të lirshme brenda klubit: pas ndeshjeve, në vend që të ktheheshin në Madrid, disa prej tyre udhëtonin drejt Ibizës për festa dhe pushim.

Madje, disa mungonin në stërvitjet e mëngjesit, pa pasoja të mëdha disiplinore.

Kjo atmosferë e “rehatshme”, e toleruar në një masë të caktuar nga Ancelotti, krijoi një mjedis ku disa lojtarë ndiheshin të paprekshëm.

Por kjo situatë ka ndryshuar rrënjësisht nën drejtimin e Xabi Alonso.

Trajneri i ri, i njohur për përpikmërinë dhe disiplinën e tij, nuk ka lejuar asnjë sjellje jashtë rregullave të klubit.

Sipas burimeve, disa lojtarë janë përpjekur të vazhdojnë zakonet e vjetra — udhëtime të fshehta, mungesa në rikuperim pas ndeshjes dhe festa jashtë orarit — por Alonso i ka ndaluar me vendosmëri, duke vendosur një regjim të rreptë profesionalizmi.

Ky qëndrim i tij ka shkaktuar pakënaqësi në rrethin e disa lojtarëve, me disa anëtarë të shoqërisë së tyre që mendojnë se trajneri “po ndërhyn shumë në jetën personale” të futbollistëve.

Megjithatë, burime pranë klubit thonë se drejtuesit e Real Madrid mbështesin plotësisht stilin e Xabi Alonsos, duke e parë si një kthim te vlerat e disiplinës, fokusit dhe përgjegjësisë.

Alonso synon të ndërtojë një Real Madrid të ri, ku talenti të shkojë dorë për dore me disiplinën — pa “ekskursione” pas ndeshjes dhe pa përjashtime për yjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme