Trajneri i ri i Chelseat, Xabi Alonso, ka bërë të qartë se dëshiron ta mbajë Enzo Fernandezin në “Stamford Bridge”, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme që e lidhin mesfushorin argjentinas me një transferim te Real Madridi.
Në javët e fundit është raportuar se agjenti i Fernandezit ka shqyrtuar mundësitë për një largim gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa interesimi i Real Madridit ka bërë që zërat të shtohen edhe më shumë.
Megjithatë, në konferencën e tij të parë për media si trajner i Chelseat, Alonso e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Tekniku spanjoll zbuloi se ka zhvilluar një bisedë me 25-vjeçarin, i cili aktualisht është i angazhuar me Argjentinën në Kupën e Botës, por nuk pranoi të japë detaje nga ajo.
“Po, kemi biseduar. Por, siç mund ta imagjinoni, ajo që kemi folur mbetet private”, deklaroi Alonso.
Kur u pyet nëse dëshiron që Fernandez të vazhdojë te Chelsea, përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e prerë.
“Po”, u shpreh trajneri i ri i “Bluve”.
Chelsea ndodhet në një pozitë të favorshme, pasi Enzo Fernandez ka kontratë të vlefshme me klubin deri në qershor të vitit 2032, çka i jep londinezëve kontroll të plotë mbi të ardhmen e tij.
Ndërkohë, mesfushori argjentinas ka qenë një nga lojtarët kryesorë të kombëtares së Argjentinës në Kupën e Botës, duke ndihmuar ekipin të sigurojë një vend në gjysmëfinale. Pas përfundimit të turneut, ai pritet të pushojë deri në fund të muajit korrik, përpara se t’i bashkohet Chelseat në përgatitjet për sezonin e ri.
Alonso foli edhe për objektivat e tij në krye të klubit londinez, duke theksuar se synon rikthimin e Chelseat në nivelet më të larta të futbollit anglez dhe evropian.
“Ky është objektivi ynë, por për ta arritur duhet të bëjmë shumë gjëra si duhet. Dua të ndërtojmë një identitet të qartë loje, mënyrën se si duam të paraqitemi dhe si t’i qasemi çdo ndeshjeje. Kjo është puna ime dhe mezi pres ta realizoj. Natyrisht, duam të rikthehemi në garat evropiane”, tha ai.
Në fund, trajneri spanjoll u shpreh optimist për fillimin e projektit të ri.
“Pas sezonit të kaluar, po nisim gjithçka nga zero. Ka fytyra të reja në stafin teknik dhe te drejtimi i ekipit, por shoh një energji shumë pozitive. Entuziazmi është i madh dhe kjo është shumë e rëndësishme”, përfundoi Alonso.
Chelsea pritet që pas përfundimit të pushimeve, Enzo Fernandez t’u bashkohet normalisht përgatitjeve për sezonin e ri, ndërsa ndeshja e parë zyrtare e Xabi Alonsos në Premier League do të jetë ndaj Fulhamit./Arbresh.info
Policia dhe EULEX-i në Jabukë të Zubin Potokut
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...