Vojvoda e Jashari optimistë për rezultat pozitiv ndaj Zvicrës dhe Suedisë

16:28 | 3 Shtator 2025
D.H

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para nisjes për në Bazel, ku të premten do të luajë kundër Zvicrës, në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Pas stërvitjes për faqen zyrtare të FFK-së kanë folur dy yjet e kombëtares Mërgim Vojvoda dhe Muharrem Jashari, shkruan Arbresh.info.

Vojvda u shpreh optimist për të dyja ndeshjet, si dhe pret një numër të madh të tifozëve shqiptarë në Zvicër.

“Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se na presin dy ndeshje të vështira. E dimë sa e vështirë është të luash në Zvicër, por e dimë po ashtu se do të kemi shumë përkrahje nga tifozët”.

“Djemtë janë të gjithë të përgatitur dhe stërvitjet po shkojnë shumë mirë dhe po bëhemi gati të shkojmë atje të marrim 3 pikë. Qëllimi ynë është të marrim 6 pikë, por sigurisht se do të jetë e vështirë pasi të dyja ekipet janë favorite, por ndonjëherë më mirë është kështu, sepse nuk është presioni tek ne por te ata”.

“Ne po bëhemi gati për të fituar tri pikë si në Zvicër, ashtu edhe në shtëpi kundër Suedisë dhe shpresoj se ashtu do të jetë”, ka thënë Vojvoda për faqen zyrtare të FFK-së.

Edhe mesfushori Muharrem Jashari është optimist se ekipi do të ketë paraqitje të mirë dhe do të arrijë rezultat pozitiv.

“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Zvicrën. Atmosfera është e mirë dhe presim një rezultat pozitiv, pasi e kemi analizuar kundërshtarin në pikat e forta dhe të dobëta”.

“Normalisht se në Zvicër na pret një përkrahje shumë e madhe dhe shpresoj të bëjmë më të mirën, të nxjerrim rezultat pozitiv dhe tifozët të jenë të kënaqur me paraqitjen tonë”, ka thënë Jashari për faqen zyrtare të FFK-së.

Ndeshja e së premtes luhet me fillim nga ora 20:45./Arbresh.info