13 ndeshje pezullim për portierin që e grushtoi futbollistin e Huescas

16:19 | 29 Prill 2026
D.H

Komiteti i Disiplinës të Federatës së Futbollit në Spanjë ka marrë një vendim të ashpër ndaj portierit të Real Zaragoza, Esteban Andrada, pas incidentit të ndodhur në ndeshjen ndaj SD Huesca.

Gardiani argjentinas është dënuar me gjithsej 13 ndeshje pezullim, ku 12 prej tyre vijnë si pasojë e goditjes me grusht ndaj kapitenit të Huescas, Jorge Pulido, ndërsa një tjetër për shkak të përjashtimit me karton të kuq pas dy vërejtjeve.

Ky vendim konsiderohet si një ndër dënimet më të rënda të këtij sezoni në futbollin spanjoll dhe pritet të ketë ndikim të madh te Real Zaragoza, që do të mbetet pa portierin titullar për disa ndeshje të rëndësishme.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv, ndërsa federata spanjolle ka treguar zero tolerancë ndaj akteve të dhunës në fushën e lojës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale