Valon Berisha refuzon ofertën e gjigantit boshnjak, pret opsione tjera

18:11 | 22 Janar 2026
D.H

Valon Berisha nuk do t’i bashkohet FK Zeljeznicar. Mesfushori 32-vjeçar i Kombëtares së Kosovës ka refuzuar ofertën zyrtare të klubit nga Grbavica dhe nuk e ka në planet e tij një transferim te skuadra boshnjake.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari italian Lorenzo Lepore, i cili raporton se Berisha po shqyrton opsione të tjera për vazhdimin e karrierës së tij.

“Valon Berisha e ka refuzuar ofertën zyrtare nga FK Zeljeznicar dhe aktualisht po shqyrton mundësi të tjera”, ka shkruar Lepore.

Pas këtij refuzimi, drejtuesit e Zeljeznicarit pritet të orientohen drejt alternativave të tjera në tregun e transferimeve, ndërsa Berisha vazhdon të kërkojë një destinacion të ri që përputhet me planet e tij sportive.

Zeleznicari është një nga klubet më të mëdha boshnjake, me gjashtë tituj kampioni vendor dhe gjashtë Kupa të Bosnjës. Ata po ashtu kanë një titull kampioni në ish-Jugosllavi.

Situata aktuale dhe karriera e Valon Berishës

Kontrata e Berishës me LASK Linz është e vlefshme deri në fund të këtij sezoni, megjithatë pritet që ai të ndryshojë klub gjatë këtij afati kalimtar dimëror.

Në sezonin aktual, mesfushori ka regjistruar 12 paraqitje me skuadrën austriake, pa arritur të shënojë gol apo të asistojë.

Valon Berisha ka një karrierë të pasur ndërkombëtare. Ditët më të mira i ka kaluar te RB Salzburg, ndërsa ka luajtur edhe për klube si Egersund, Viking, Lazio, Fortuna Düsseldorf, Reims dhe Melbourne City.

Në arenën ndërkombëtare, Berisha ka përfaqësuar fillimisht Norvegjinë me 20 paraqitje, ndërsa më pas ka veshur fanellën e Kosovës në 52 ndeshje zyrtare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale