Trajneri i FCSB para sfidës me Dritën: Ekipi ynë ka vetëbesim, nuk kemi ardhur të mbrohemi

19:11 | 13 Gusht 2025
D.H

Drita nesër luan ndeshjen e kthimit ndaj FCSB në kuadër të rrethit të tretë të kualifikimeve për Ligën e Evropës.

Një ditë para ndeshjes në konferencë për media ka dal trajneri i skuadrës rumune, Elias Charalambous, i cili ka dhënë përshtypjet e tij para kësaj përballje të rëndësishme për dyja skuadrat, shkruan Arbresh.info.

“Presim ndeshje të fortë kundër ekipit të organizuar. Ndeshja nesër është 50 me 50. E kemi analizuar ndeshjen e parë për të parë se ku kemi pasur vështirësi dhe të përmirësojmë gabimet tona. E përsëris, ndeshje e vështirë. Duhet të shënojmë gol, nuk kemi ardhur të mbrohemi”, ka thënë trajneri qipriot

Ai ka folur për përvojën e tij që nga momenti kur ka zbritur në Kosovë.

“Kam përshtypje fantastike prej kur kemi zbritur në Kosovë, kemi takuar dashamirësi nga të gjithë. Këtu ka luajtur edhe Rumania dhe nuk ka asnjë problem. Gjithçka po ecën mirë, po duket vend i përparuar shumë”, ka vlerësuar Charalambous.

Më tej trajneri qipriot ka përmendur edhe futbollistët shqiptar që luajnë në Rumani.

“Ka shumë lojtarë nga Kosova në Rumani, por në këtë moment nuk e kam ndërmend ndonjë lojtar të Dritës. Do të shohim më vonë, ndoshta pas ndeshjes”, ka çmuar qiprioti lojtarët e shumtë shqiptar në kampionatin rumun.

Tutje u ndal dhe foli për ndeshjen, ku tha se skuadrës së tij duhet që për asnjë moment mos t’i humb fokusi në ndeshje.

“Ekipi ynë ka vetëbesim. Jemi klub i madh dhe kemi treguar në shumë momente që kemi reaguar në situata të vështira, duke treguar se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Duhet të jemi shumë të fokusuar sepse na pret ndeshje e fortë”, ka thënë ai.

Për fund ai bëri dallimin mes kundërshtarit të kaluar të FCSB, Shkëndijës e cila e eliminoi nga rrethi i dytë i Ligës së Kampionëve dhe Dritës.

“Çdo ekip ka dallimet e veta. Shkëndija ka stilin e saj, Drita të saj, por më rëndësi është forma jonë. Për ne është e rëndësishme të tregojmë seriozitetin tonë. Nuk mund t’i krahasoj ekipet në atë formë, secila ka përparësitë e saj dhe janë në ngritje e sipër”, ka theksuar në fund kryetrajneri i skuadrës së trofeshme rumune.

Ndeshja mes Dritës dhe FCSB luhet nesër me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Rezultati nga sfida e parë është 3-2 në të mirë të rumunëve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale