Trajneri i Copenhagenit: Ishte e vështirë ndaj Dritës, jam i kënaqur që fituam

22:58 | 22 Korrik 2025
D.H

Drita u mposht 2-0 nga Copenhageni në kuadër të ndeshjes së parë të rrethit të dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve.

Gjilanasit u mbajtën për 69 minuta, derisa u akordua penallti për danezët, ku në gol e konkretizoi Mattson. Po i njëjti shënoi edhe pas shtatë minutash për 2-0, shkruan Arbresh.info.

Pas ndeshjes për media u prononcua edhe trajneri i ekipit danez, Jacob Nesstrup, ku u shpreh i kënaqur me rezultatin.

“Siç pritej, ishte e vështirë të depërtoje ndaj Dritës, ndaj kërkoi shumë durim, dhe në përgjithësi jam i kënaqur që fituam 2-0”, u shpreh ai.

Më tej ai komentoi lojën e skuadrës së tij.

“Mendoj se e nisëm shumë mirë pjesën e parë, ndërsa 10 minutat e para të pjesës së dytë ishin më pak të mira, por u përmirësuam gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës dhe e përfunduam ndeshjen shumë mire”, tha më tutje trajneri.

Për fund lavdëroi edhe mbrojtjen e Dritës, mirëpo theksoi se skuadra e tij ishte e përgatitur për për mënyrën e lojës së skuadrës kosovare.

“Ishim të përgatitur për mënyrën se si ata luajnë, dhe e kemi parë këtë edhe në ndeshjet e tyre ndaj skuadrave që janë pak më të dobëta, në të njëjtin nivel apo pak më të mira se ne. Ata kanë një mbrojtje të fortë, prandaj është çështje balance mes durimit dhe vendosjes së ritmit të lojës, dhe ne nuk ia dolëm gjithmonë në këtë drejtim”, e mbylli ai.

Ndeshja e kthimit luhet me 29 korrik në “Fadil Vokrri”./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale