Tottenhami vetëm dy pikë lart top katërshes në Premierligë, pas fitores ndaj Palace

22:16 | 7 Mars 2021

Tottenhami e ka mposhtur bindshëm 4:1 Crystal Palace të dielën, duke iu afruar në vetëm dy pikë top katërshes në Premierligë, në një ndeshje ku shkëlqyen Gareth Bale dhe Harry Kane.

Bale dhe Kane shënuan nga dy herë secili për t’ia siguruar fitoren e dytë radhazi skuadrës së Jose Mourinhos ndaj Palace në Tottenham Hotspur Stadium.

Kjo fitore e mban Tottenhamin në garë për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Bale e kaloi skuadrën e Mourinhos në epërsi pas 25 minutave lojë, kur shënoi në portën boshe pasi u shërbye nga Kane.

Palace reagoi mirë ndaj këtij goli duke e barazuar rezultatin në 1:1 në çastet e fundit të pjesës së parë, kur Cristian Benteke shënoi me kokë.

Por kjo ishte e gjitha që mundi të bëjë skuadra e Roy Hodson, pasi Bale e riktheu epërsinë e Tottenhamit katër minuta brenda pjesës së dytë, duke shënuar me kokë pas një asisti tjetër nga Kane.

Kane më pas i shënoi vetë dy gola për ta vulosur fitoren e Tottenhamit, së pari në minutën e 52-të duke e realizuar gola të jashtëzakonshëm nga largësia dhe pastaj në portën boshe pas një asisti nga Son Heung-Min.

Tottenhami tani ngrihet në pozitën e gjashtë me 45 pikë, dy më pak se Chelsean në vendin e katërt.

Palace, ndërkohë, ngel në vendin e 13-të me 34 pikë, tetë larg zonës së rënies nga liga./Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara