Tjetër ndeshje në “Bernabeu”, të tjera fishkëllima – a po i vjen fundi Viniciusit te Reali?

21:19 | 4 Janar 2026
D.H

Vinicius Junior nuk e nisi vitin mirë përkundër që Reali i Madridit e “shkatërroi” Real Betisin në ndeshjen e sotme në La Liga. Madrilenët triumfuan 5-1, por Vini sërish nuk bëri asgjë.

Në këtë ndeshje hyri si i ngarkuar nga mungesa e golit në 14 ndeshje pa shënuar me klubin si dhe marrëdhënia ftohtë me “Bernabéun”, i cili në ndeshjen e fundit të vitit 2025 ndaj Sevillas e përcolli me fishkëllima, shkruan Arbresh.info.

Pas asaj mbrëmjeje, braziliani publikoi një mesazh enigmatik në rrjete sociale, ndërsa me ardhjen e Vitit të Ri u përpoq ta qetësonte situatën me një deklaratë më të qartë.

“Qoftë një vit i jashtëzakonshëm 2026. Hala Madrid gjithmonë! Ju dua”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Përballë Betisit dukej se historia mund të merrte një drejtim tjetër, të paktën para fillimit të ndeshjes. Kur u lexua emri i tij në formacion, fishkëllimat ishin minimale dhe u mbuluan pjesërisht nga muzika e stadiumit.

Përtej minutave premtues në fillim, ndeshja e Viniciusit ishte e zbehtë. Ai krijoi vetëm një rast, shumë larg kontributit të Valverdes, Bellinghamit dhe Rodrygos, dhe realizoi vetëm një goditje që nuk shkoi në portë. U tregua i saktë në driblim (5 të suksesshme nga 8 tentativa), por pa ndikim konkret në rezultat.

Në fund të pjesës së dytë, Xabi Alonso vendosi ta zëvendësonte me Arda Güler. Vinicius u largua nga fusha mes fishkëllimave, të përziera me duartrokitjet për Rodrygon, i cili u zëvendësua në të njëjtën kohë pas dy asistimeve.

Reagimi i brazilianit ishte i përmbajtur kësaj radhe për dallim nga “El Clasiso”, një shtrëngim duarsh serioz me trajnerin.

Një detaj tjetër që u vërejt ishte se Vini me të përfunduar ndeshja vazhdoi për në tunelin e zhveshtoreve, duke mos u ndalur të festoj triumfin me pjesën tjetër të skuadrës.

Vinicius nuk po kalon në formë aspak të mirë me Real Madridin, ku nuk shënon gol tash e 15 ndeshje.

Mes pikëpyetjeve për të ardhmen, ku tashmë i kanë mbetur vetëm edhe 18 muaj kontrata vazhdon saga e madhe Vinicius-Real Madridin.

Reali këtë mesjavë udhëton drejt Arabisë Saudite ku do të luaj turnirin e Superkupës së Spanjës, ku të enjten përballet me Atletico Madridin në gjysmëfinale./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale