Spanjë-Suedi supersfida e së hënës

12:07 | 14 Qershor 2021

Ditët e para kaluan shpejt dhe edicioni i 16 i kampionatit evropian bëhet gati për të prezantuar Spanjën, një ndër skuadrat përfaqësuese më me emër të Kontinentit të Vjetër, që ashtu si edhe Gjermania është kurorëzuar plot tre herë me trofeun e lakmuar Henri Delaunay.

Bëhet fjalë për ndeshjen numër 9 të këtij edicioni dhe “furia e kuqe” do ta nisë rrugëtimin këtë herë në Krahinën Autonome të Andaluzisë përballë Suedisë. “La Roja” do të ketë favorin e faktorit fushë në fazën hapëse të këtij evropiani, duke pasur parasysh faktin që skuadra e drejtuar nga trajneri Luis Enrique do t’i zhvillojë tre ndeshjet e para të raundit të grupeve në shtëpi, në Qytetin e Seviljes, transmeton arbresh.info.

Këtë herë nga qyteti më i madh andaluzian është përzgjedhur pikërisht Stadiumi La Cartuja, me një kapacitet prej 60.000 spektatorësh.

Takimi do të mbahet në mbrëmje në orën 21:00 dhe La Cartuja do të bëhet i pari stadium spanjoll që do të presë një ndeshje të një aktiviteti të rëndësishëm që nga viti i largët 1982, kur vendi iberik organizoi kampionatin e 12 botëror.

Në Grupin E bëjnë pjesë gjithashtu edhe Polonia me Sllovakinë dhe ekipet në këtë grup do të zbresin sërish në fushë edhe të premten e ardhshme, ku Suedia do të masë forcat me Sllovakinë, ndërsa Spanja do të sfidojë Poloninë e Robert Lewandowskit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara