Shtatë vjet nga pensionimi i Fergusonit: Historia dhe sukseset e tij me Man Unitedin

11:19 | 8 Maj 2020

Më 8 maj të vitit 2013, trajneri legjendar i Manchester United, Sir Alex Ferguson, lajmëroi se sezoni 2012/13 do të ishte i fundit për të si trajner. Tani, shtatë vjet më vonë, Djajtë e Kuq kanë kujtuar historinë dhe sukseset e tij të shumta në Old Trafford.

Sir Alex Fergusoni konsiderohet si njëri ndër trajnerët më të mirë të të gjitha kohëve, jo vetëm në Manchester United, por në botën e futbollit, transmeton Gazeta Express.

Skocezi njihet për sukseset e tij në “Old Trafford”, ku ai i fitoi 22 tituj vendor, dy tituj të Ligës së Kampionëve dhe një titull të Cup Winners Cup në vitin 1991.

Një rekord kaq i jashtëzakonshëm bëri që ai të ketë ndikim për një kohë tejet të gjatë edhe në futbollin modern, pasi që Fergusoni i udhëhoqi “Djajtë e kuq” nga viti 1986 deri në vitin 2013, kur vendosi të pensionohej.

Sir Alex erdhi në Manchester United pasi që fillimisht e fitoi statusin e një legjende në Aberdeen, ku e udhëhoqi klubin skocez drejt tre titujve të Premier Division, katër titujve të Kupës së Skocisë, një titulli të Kupës së Ligës, një titulil të Cup Winners Cup dhe të Super Kupës së Evropës.

Pasi e kishte filluar karrierën e tij si trajner në East Stirlingshire, ai kaloi në St Mirren dhe pastaj në Dons, përderisa e udhëhoqi edhe Skocinë drejt Kupës së Botës të vitit 1986, pas vdekjes së Jock Stein.

Ai u emërua në pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq” më 6 nëntor të vitit 1986, kur klubi ishte në një krizë. Ata ishin në pozitën e parafundit në tabelën e First Division, atëherë niveli i parë i futbollit në Angli. Manchester Unitedi renditej si klubi i 21-të nga gjithsej 22 klube pjesëmarrëse.

Por, ai nuk bëri menjëherë ndonjë mrekulli, pasi që i vuri themelet e një skuadre që pastaj arriti ta dominojë futbollin anglez për dy dekada.

Fergusoni punoi fillimisht për ta përmirësuar disiplinën dhe gjendjen fizike të skuadrës, që i ndihmoi ata të stabilizohen dhe ta përfundojnë sezonin në pozitën e 11-të.

Edhe pse sezonin e ardhshëm, 1987/88, ai përfundoi në pozitën e dytë, Manchester Unitedi u kthye në një klub mediokër dhe nga mesi i sezonit 1989/90, Fergusoni rrezikoi të shkarkohet nga pozita.

Lista e titujve


Fitorja me rezultat 1:0 në FA Cup kundër Nottinham Foresti, që ishte në formë shumë të mirë, shpeshherë konsiderohet si pika kthyese e karrierës së Fergusonit në Old Trafford, pasi që pas kësaj surprize në rundin e tretë, Manchester Unitedi e fitoi titullin.

Sezonin tjetër, skuadrës i mungoi vazhdimësia e formës së mirë, mirëpo ata arritën ta fitojnë Cup Winners Cup, duke e mposhtur Barcelonën me rezultat 2:1 në finale.

Sezoni 1992/93 ia solli klubit titullin e parë të ligës që nga ditët e Matt Busbyt në vitin 1967. Nxitur kryesisht nga transferimi i Eric Cantonas nga Leeds, Unitedi e përfundoi sezonin në mënyrë brilante, me dhjetë pikë më shumë se Aston Villa, që u rendit në pozitën e dytë. Në atë sezon, “Djajtë e kuq” i treguan disa karakteristika që më vonë u bënë shenjë dalluese e skuadrave të Fergusonit ndër vite.

Zogjtë e Fergusonit

Një tjetër titull i ligës i ndoqi ata në sezonin 1993/94, mirëpo Djajtë e kuq nuk arritën ta fitojë titullin e tretë radhazi për shkak të një barazimi në ndeshjen e fundit me West Hamit, që ia dhuroi trofeun Blackburn Roversit. Pas kësaj, veteranët u larguan nga klubi dhe u lanë hapësirat bosh për lojtarët e akademisë.

Në mes të shumë kritikave, Fergusoni i inkuadroi në ekipin e parë lojtarë si Gary dhe Phil Neville, David Beckhami, Paul Scholes dhe Nicky Butt. Pikërisht këta lojtarë u bënë yjet e skuadrës gjatë kohës kur Manchester Unitedi e arriti kulmin e dominimit të futbollit në Angli.

Besimi i trajnerit ndaj lojtarëve të tij ishin absolut, përkundër që analisti i BBC-së, Alan Hansen, e kishte kritikuar Fergusonin duke thënë: “Nuk mund të fitosh asgjë me fëmijë”.

Pasi Cantona u kthye nga suspendimi tetë muajsh për sulmin ndaj një tifozi të Crystal Palace, Manchester Unitedi e shkatërroi Newcastle Unitedin, që atëherë dukej se nuk kishte konkurrencë, dhe e fitoi titullin e ligës, një arritje që ai siguroi Fergusonin një marrëveshje të re katërvjeçare.

Një kundërshtar i ri iu paraqit “Djajve të kuq” në formën e Arsenalit dhe trajnerit të ri të tyre, Arsene Wengerit. Edhe pse dyshja Ferguson – Wenger shpeshherë patën zënka në konferencat për shtyp, Fergusoni e lavdëroi francezin për arritjen e triumfit në Premierligë në sezonin 1997/98, duke thënë: “Mendoj se është një gjë e mirë për lojtarët e mi të rinj ta humbin këtë rast”.

Manchester Unitedi fiton tripletën

Kulmi i karrierës së Fergusonit erdhi në sezonin 1998/99, kur ai e udhëzoi skuadrën e tij drejt tripletës, duke u bërë klubi i vetëm anglez në histori që e ka arritur një sukses kaq të madh.

Pas një fillimi të ngadaltë në atë sezon, Manchester Unitedi e fitoi titullin e ligës, edhe pse futbollin më dramatik e patën në FA Cup dhe në Ligën e Kampionëve. Ky lloj i futbollit ishte tipik për Fergusonin.

Në FA Cup, ata rrezikuan të eliminohen qysh në fillim, kundër Liverpoolit, mirëpo i shënuan dy gola në pesë minutat e fundit për ta eliminuar rivalin e tyre të madh. Pastaj, ata e patën një tjetër ndeshje tejet dramatike në gjysmëfinale, kundër Arsenalit, e cila u vendos pas ndeshjes kthyese. Ryan Giggs e kishte shënuar golin e fitores duke i dribluar kundërshtarët e tij nga gjysma e fushës.

Fuqia mendore e Manchester United u shfaq edhe në Ligën e Kampionëve, gjithashtu. Pasi e eliminoi Barcelonën në fazën e grupeve, ku u përballen edhe me Bayern Munichun, Manchester Unitedi e eliminoi edhe Interin në çerekfinale. Megjithatë, fuqia e skuadrës u vërejt më së shumti në gjysmëfinale. Ata ishin duke humbur me rezultat të përgjithshëm 3:1 kundër Juventusit, por u kthyen fuqishëm dhe e siguruan një vend në finale.

Ajo ndeshje ishte më së shumti e paharrueshme për shkak të paraqitjes së kapitenit Roy Keane, i cili ishte ndëshkuar me të verdhë dhe do ta humbte finalen. Irlandezi njihej për shpirtin e tij luftarak, që Fergusoni dëshironte ta shihte te lojtarët e tij, veçanërisht atë natë në Torino.

“Kjo ishte paraqitja më këmbëngulëse e altruizmit që unë e kam parë ndonjë herë në fushën e futbollit. Keane e shkeli çdo fije të barit, garoi sikur të preferonte të vdiste para se të humbiste. Ai i frymëzoi të gjithë përreth vetes. Unë jam krenar që jam i lidhur me lojtarë të tillë”, kishte thënë Fergusoni.

Finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 1999 ishte njëra ndër ndeshjet më të paharrueshme në historinë e futbollit, pasi që Manchester Unitedi shënoi dy herë në minutat shtesë. Teddy Sheringhami dhe Ole Gunnar Solskjaer arritën ta përmbysin rezultatin nga 1:0 për Bayern Munichun në 2:1 për Manchester Unitedin në momentet e fundit të lojës.

Pas ndeshjes, Fergusoni e tha njërën prej frazave të tij më të famshme: “Fooball, bloody hell”.

Ndryshimi i mendjes për pensionim dhe tranzicioni

Përkundër rrezikut të vazhdueshëm nga Arsenalit, Fergusoni e ndërtoi një skuadër që e fitoi titullin tri herë radhazi, duke u bërë vetëm i katërti klub në histori që e arriti një rekord të tillë.

Në këto rrethana, trajneri kishte bërë të ditur se dëshiron të pensionohet në fund të sezonit 2001/2002, edhe pse pas disa muajsh shqyrtimi, ai vendosi ta ndërrojë mendjen dhe të mos pensionohet.

Megjithatë, sezoni përfundoi me zhgënjim për Manchester Unitedin, pasi që ata përfunduan në pozitën e tretë në tabelën e ligës dhe e humbën mundësinë të luanin në finale të Ligës së Kampionëve, që atë vit u zhvillua në vendlindjen e Fergusonit, në Glasgou. Këtë gjë ai më vonë e kujtoi si pendimin më të madh të vetin në karrierë.

Rreth kësaj pike, skuadra kaloi në një tjetër faze tranzicioni, edhe pse kjo gjë nuk i ndaloi ata ta fitojnë titullin e ligës në sezonin 2002/03.

Gjatë verës së ardhshme, Cristiano Ronaldo iu bashkua klubit, por Arsenali ishin të pamposhtur dhe e fituan ligën pa e pësuar asnjë disfatë gjatë gjithë sezonit.

Vitin tjetër, fuqia e skuadrës u shtua edhe më shumë me transferimin e Wayne Rooneyt nga Evertoni. Megjithatë, ata e përfunduan sezonin 2004/2005 pa trofe. Fergsuoni e arriti një sukses personal, duke e shënuar ndeshjen e tij të 1000-të si trajner i Manchester Unitedit, në fitoren 2:1 kundër Lyonit në Ligën e Kampionëve.

Suksesi i rinovuar

Edhe një herë, bazat e suksesit po vendoseshin dalëngadalë dhe në sezonin 2006/0-7, ata e fituan për herë të nëntë titullin e Premierligës. 12 muaj më vonë e fituan edhe titullin e dhjetë.

Megjithatë, suksesi i madh në vitin 2008 ishte triumfi në Ligën e Kampionëve. Pasi Manchester Unitedi barazoi 1:1 me Chelsean në stadiumin Luzhniki në Moskë, ndeshja u vendos përmes penalltive, pasi që Manchester Unitedi u ringjall dhe rrëshqitja e John Terryt bëri që “Djajtë e kuq” të shpallen kampionë.

Përderisa ata vazhduan të dominojnë në Angli, suksesi në Evropë iu mungoi pasi që Barcelona i mposhti dy herë në finalet e Ligës së Kampionëve, 2:0 në vitin 2009 në Romë dhe 3:1 në vitin 2011 në Wembley.

Titulli i 19-të i Premierligës atë sezon ishte i 12-i i Fergusonit. Ky titull e bëri Manchester Unitedin klubin më të suksesshëm në historinë e futbollit anglez, duke e lënë pas vetes Liverpoolin.

Titulli numër 20 erdhi dy vjet më vonë dhe atë e siguruan katër ndeshje para fundit. Kjo gjë mbeti në hije megjithatë, pasi që Fergusoni bëri të ditur se do të pensionohet nga posti i tij në fund të sezonit.

Ndeshja e fundit e tij, e 1500-ta, ishte kundër Ëest Bromit. Ajo ndeshje përfundoi me rezultat 5:5, një lamturmirë e përshtatshme për Fergusonin, që kishte sjellë shumë emocione në futbollin anglez gjatë 26 vjetëve të tij në Manchester United.

Në sezonin 2012/13, ai u shpërblye me çmimin për trajnerin më të mirë të sezonit në Premierligë, për të 11-tën herë në karrierë, pasi e kishte fituar edhe çmimin për trajneri më të mirë të vitit nga UEFA në sezonin 1998/99.

Pas pensionimit

Fergusoni, i cili u shpërblye me mirënjohje CBE për shërbimet e tij në futboll, ka qëndruar në Manchester United edhe pas pensionimit nga karriera e trajnerit, si drejtor dhe ambasador.

Në fakt, ai është nderuar edhe me një statujë jashtë Old Traffordit për arritjet e tij me klubin, përderisa e ka edhe një rrugë afër stadiumit të emëruar pas tij, “Sir Alex Ferguson Way”.

Ndoshta nderimi më i paharrueshëm për Fergusonin është tribuna brenda Old Trafford e emëruar “The Sir Alex Ferguson Stand”.

Ai vazhdimisht shihet në stadium me bashkëshorten e tij, Cathyn, duke i përcjellë nga afër ndeshjet e Manchester Unitedit.

Si shtesë, ai është emëruar edhe ambasador i trajnerëve të UEFA, përderisa është edhe ligjërues në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 5 maj të vitit 2018, ai e bëri një operacion urgjent pasi pësoi gjakderdhje në tru. Por, që nga atëherë ai është kthyer në ndeshjet e Manchester Unitedit. Trajneri aktual i “Djajve të kuq”, Solskjaer, i ka kërkuar atij ndihmë në disa raste e madje ai edhe e dha një fjalim në zhveshtore para përballjes me Liverpoolin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara