Schlotterbeck në qendër të vëmendjes, klauzola për dy gjigantët evropian ngjallë debate në Gjermani

21:33 | 13 Prill 2026
D.H

Mbrojtësi gjerman, Nico Schlotterbeck është bërë një nga temat kryesore në mediat sportive në Gjermani ditëve të fundit, pas zbulimit të një klauzole të veçantë në kontratën e tij të re me Borussia Dortmund.

26-vjeçari, i cili kishte kontratë deri në vitin 2027, ka rinovuar me klubin gjerman, por marrëveshja e re përfshin një klauzolë që i lejon një grupi të kufizuar klubesh elitare, mes tyre dyshohet Bayern Munich dhe Real Madridi, ta transferojnë atë këtë verë për një shumë të vlerësuar mes 50 dhe 60 milionë euro.

Ky zhvillim nuk është pritur mirë nga tifozët e Dortmundit, të cilët kanë shprehur pakënaqësi të madhe dhe madje e kanë vërshëllyer lojtarin në disa ndeshje të fundit.

Lidhur me këtë situatë, legjenda e futbollit gjerman Lothar Matthäus e ka komentuar rastin në emisionin Sky90, duke theksuar se vendimi i lojtarit është i kuptueshëm.

“Kur Real Madrid interesohet për një lojtar, ai dëshiron të lërë gjithmonë një derë të hapur, të paktën një hapësirë të vogël për të kaluar. Zemra e tij do të jetë në Dortmund, por ai dëshiron ta mbajë atë derë të hapur,” ka deklaruar Matthäus.

Ai gjithashtu e ka krahasuar këtë situatë me raste të tjera në futbollin gjerman, duke përmendur lojtarë si Dayot Upamecano dhe Jamal Musiala, duke theksuar se kjo është një praktikë e zakonshme në futbollin modern.

Sa i përket një transferimi të mundshëm gjatë verës, Matthäus ka shtuar se Dortmund mund të dalë edhe fitues financiarisht.

“Borussia Dortmund është në një situatë më të mirë financiare edhe me klauzolën, sepse në rast transferimi mund të përfitojë rreth 25 deri në 30 milionë euro më shumë sesa do të kishte marrë më herët,” ka përfunduar ai.

E ardhmja e Schlotterbeck mbetet e hapur, ndërsa merkatoja verore pritet të sjellë interes të madh nga klubet më të mëdha evropiane./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale