Kontrata e Antonio Rüdiger me Real Madridin skadon më 30 qershor 2026, dhe deri tani palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje për rinovim. Bisedimet kishin nisur para dëmtimit të tij muskulor, por procesi u ndërpre derisa lojtari u rikuperua. Tani që gjermani është kthyer në fushë dhe po tregon formë të mirë, klubi madrilen pritet të rifillojë negociatat.
Sipas raportimeve të Defensa Central, në klubin “Los Blancos” janë të gatshëm t’i ofrojnë mbrojtësit edhe një vit kontratë, por me kushtin që paga t’i ulet. Rüdiger do të mbushë 33 vjeç në mars dhe Real Madridi e sheh logjike që roli i tij gradualisht të mos jetë më aq vendimtar, ndaj edhe shifra financiare duhet të përshtatet.
Megjithatë, vetë lojtari nuk e sheh problem këtë ndryshim. Burime të afërta tregojnë se Rüdiger është i gatshëm të zbresë pagën nga 9 milionë euro neto në 7 milionë euro, duke besuar se fizikisht është ende në një nivel shumë të mirë për të ndihmuar klubin më të madh në botë. Po ashtu, ofertat e majme nga Arabia Saudite mund të presin edhe një vit, pasi gjermani mendon ta vazhdojë aventurën në Madrid.
Aktualisht akordi nuk është mbyllur, por gjithnjë e më shumë gazetarë raportojnë se marrëveshja mund të finalizohet brenda javëve në vijim. Nga aspekti ekonomik nuk pritet asnjë problem, ndërsa as nga ana sportive situata nuk paraqet pengesa, pasi Rüdiger ka pranuar rolin e tij pa kërkuar domosdoshmërisht të jetë titullar i padiskutueshëm.
Rüdiger vlerësohet shumë brenda klubit për eksperiencën e tij të gjatë në futbollin elitar. Prania e lojtarëve me përvojë të madhe është gjithmonë e rëndësishme, si për lidership në dhomën e zhveshjes, ashtu edhe për stabilitet në fushë. Kjo u pa qartë edhe në ndeshjen e fundit të La Ligës, ku soliditeti i tij mbrojti shumë skuadrën.
Trajneri Xabi Alonso pritet t’i japë gjermanit minuta të konsiderueshme këtë sezon, duke e menaxhuar me kujdes ngarkesën për të shmangur dëmtimet afatgjata si ajo e fundit. Forma e lartë e Militaos, si dhe paraqitjet e mira të Huijsen në fillim të sezonit – pavarësisht rënies së tij të fundit – i japin trajnerit katër qendërmbrojtës të nivelit të lartë për pjesën tjetër të kampionatit.
Rinovimi i Rüdiger duket më shumë çështje kohe sesa dilemë. Në Madrid ka besim se marrëveshja do të mbyllet shpejt dhe se lojtari do të vazhdojë të japë kontribut të rëndësishëm në skuadër./Arbresh.info
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia