PSG nis negociatat për rinovimin e kontratës me Luis Enriquen

18:20 | 2 Shkurt 2026
D.H

Paris Saint-Germain dëshiron të sigurojë shërbimet e trajnerit Luis Enrique edhe pas qershorit 2027, kur skadon kontrata aktuale e trajnerit spanjoll dhe tashmë ka nisur negociatat për zgjatjen e saj.

Sipas mediave spanjolle, klubi parisien po nxiton për të “blinduar” me synimin që kontrata e re të zgjatet deri në vitin 2030, në formën e dy sezonave fikse plus një sezon opsional që do të varet nga vetë trajneri.

PSG e sheh vazhdimësinë e Luis Enrique si një prioritet kryesor dhe nuk dëshiron të presë deri në sezonin e ardhshëm për ta mbyllur marrëveshjen, pasi trajneri do të ishte i lirë në fund të kontratës aktuale dhe ekziston frika që disa klube të Premier League mund të ndërhyjnë.

Nga ana e trajnerit, thuhet se ka qetësi për kontratën aktuale, pasi ish-trajneri i Barcelonës gjithmonë i ka respektuar marrëveshjet, dhe ka gatishmëri për ta zgjeruar atë.

Megjithatë, pritet që negociatat të zgjasin disa muaj.

Me Enriquen në krye Parisi arriti suksese të jashtëzakonshme, ku sezonin e fundit e fitoi edhe tripletën, duke triumfuar në Ligue 1, Kupë të Francës si dhe Ligë të Kampionëve.

Po ashtu fitoi edhe trofe tjerë të rëndësishëm sikur Superkupa e Francës, Superkupa e Evropës, si dhe arriti në finalen e Kupës së Botës për klube, ku u mposht në finale nga Chelsea./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale