Pse Martin Zubimendi mori numri 36 – një simbol i rrugëtimit të tij me klubin e zemrës

23:42 | 6 Korrik 2025
D.H

Arsenali më në fund ka kompletuar transferimin e mesfushorit Martin Zubimendi, me zyrtarizimin që erdhi të dielën. 26-vjeçari largohet nga Real Sociedad pas plot 14 vitesh në radhët e klubit bask, ndërsa skuadra londineze ka aktivizuar klauzolën e lirimit prej 60 milionë eurosh.

Arsenali njoftoi gjithashtu se Zubimendi do të mbajë fanellën me numër 36, një zgjedhje që mund të habisë shumë, duke qenë se numri 5 ishte i lirë pas largimit të Thomas Partey.

Sipas “Mundo Deportivo”, Zubimendi mbante numrin 36 kur debutoi me ekipin e parë të Real Sociedad në prill të vitit 2019.

Duke qenë se La Real është klubi i tij i zemrës dhe vendi ku u rrit si futbollist, ky numër ka vlerë sentimentale për të – ndaj vendosi ta mbajë edhe në këtë etapë të re me Arsenalin.

Kalimi në Londër do t’i mundësojë Zubimendit të ribashkohet me dy ish-bashkëlojtarë të tij: Martin Odegaard, i cili kaloi një sezon te La Real (2019/20), dhe Mikel Merino, që pas gjashtë viteve në Donosti iu bashkua Arsenalit verën e kaluar.

Merino është gjithashtu bashkëkombës dhe bashkëlojtar i Zubimendit te Kombëtarja e Spanjës.

Në letër, ky transferim shihet si një goditje e madhe nga Arsenali, duke marrë një nga mesfushorët mbrojtës më të mirë në botë. Trajneri Mikel Arteta shpreson që ardhja e bashkëkombësit të tij të ndihmojë klubin në përmbushjen e objektivit madhor – titullin e Ligës Premier – që mungon që nga sezoni legjendar 2003/04.

Shpërndaje në rrjete sociale