Pas shkarkimi të Amorimit, Man United pëson goditje të madhe financiare

16:27 | 5 Janar 2026
D.H

Manchester United ka vendosur sot ta shkarkojë Ruben Amorimin, duke i dhënë fund një eksperience që doli të jetë e pasuksesshme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar.

Vendimi i “Djajve të Kuq” do t’i kushtojë shtrenjtë klubit, shkruan Arbresh.info.

Sipas raportimeve të talksport, United do të paguajë rreth 27.35 milionë funte për largimin e trajnerit portugez.

Fillimisht, klubi kishte paguar 9.5 milionë funte dëmshpërblim për Sporting Lisbonën për ta liruar Amorimin nga kontrata.

Gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”, ai ka përfituar 7.8 milionë funte paga, ndërsa pas shkarkimit, Manchester United është i detyruar t’i paguajë edhe 10.05 milionë funte për pjesën e mbetur të kontratës.

Në fushë, statistikat ishin larg pritshmërive. Amorim regjistroi vetëm një normë fitoreje prej 36.92%, shifër që u konsiderua e papranueshme për një klub si Manchester United.

Shkarkimi i Amorimit erdhi pas disa deklaratave të forta të tij ditën e djeshme pas barazimit me Leedsin.

Man United pas 19 xhirove në Premier League është në pozitën e gjashtë me 31 pikë, 17 më pak se lideri Arsenali.

Ndërsa sezonin e kaluar e mbylli në pozitën e 15-t me gjithsej 42 pikë, duke humbur gjasat të luaj në ndonjë kompeticion evropian.

Po ashtu në krye me Amorimin, Manchester United u mposht në finale të Europa League nga Tottenhami./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale