Paredes rrezikon dënim të rëndë nga FIFA, akuzohet për sulm ndaj Eric Garcias dhe Gavit pas finales së Botërorit

18:01 | 20 Korrik 2026
D.H

Finalja historike e Kupës së Botës, e fituar nga Spanja ndaj Argjentinës, u njollos nga incidentet që ndodhën pas përfundimit të ndeshjes, ku në qendër të vëmendjes ishte mesfushori argjentinas Leandro Paredes.

Sipas mediave spanjolle, futbollisti i Argjentinës jo vetëm që pati përplasje të shumta gjatë ndeshjes, por edhe pas vërshëllimës së fundit u përfshi në incidente që mund t’i kushtojnë shtrenjtë.

Gjithçka nisi pas një konflikti mes Nahuel Molinës dhe kapitenit të Spanjës, Rodri Hernández. Mbrojtësi argjentinas e goditi me dorë Rodrin teksa ky po vraponte për të festuar triumfin, çka shkaktoi reagimin e futbollistëve të të dyja skuadrave.

Në përplasjen që pasoi u përfshinë edhe Leandro Paredes, Eric Garcia dhe Gavi.

Sipas raportimeve, pas një shkëmbimi fjalësh, Paredes e shtyu Eric Garcian. Më pas ndërhyri Gavi për t’ia tërhequr vërejtjen mesfushorit argjentinas për sjelljen e tij, por edhe ai përfundoi në tokë pas kontaktit me Paredes.

Për shkak të sjelljes së tij, Paredes u ndëshkua me karton të kuq menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Tashmë mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë FIFA, ku një rol të rëndësishëm do të ketë raporti i gjyqtarit slloven Slavko Vinçiç.

Sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s, një sjellje e tillë dënohet minimalisht me tre ndeshje pezullim për “sjellje të dhunshme”.

Po ashtu, rregullorja parashikon të paktën tre ndeshje pezullim ose një periudhë të përshtatshme dënimi për çdo lojtar që sulmon një kundërshtar ose një person tjetër, përfshirë goditjet me bërryl, grusht, shkelma, kafshime, pështyrje apo goditje të tjera.

Nëse dënohet, Paredes do ta vuajë pezullimin në ndeshjen e parë zyrtare që Argjentina do të zhvillojë pas Kupës së Botës, siç parashikon rregullorja e FIFA-s.

Nën vëzhgim është edhe ndihmëstrajneri i Argjentinës, Roberto Ayala, i cili gjithashtu u përfshi në përleshje. Sipas raportimeve, ai goditi me dorë Dani Olmon dhe shtyu Eric Garcian.

Edhe në rastin e Ayalas, vendimtare do të jenë raporti i arbitrit dhe ai i delegatit të ndeshjes. Nëse këto incidente nuk janë përfshirë në dokumentet zyrtare, FIFA mund të nisë procedurë disiplinore edhe mbi bazën e pamjeve televizive./Arbresh.info