Osasuna e befason Real Madrid

23:04 | 21 Shkurt 2026
Q L

Një surprizë e madhe ka ndodhur në La Liga, ku Osasuna ka mposhtur Real Madrid me rezultat 2-1 në stadiumin “El Sadar”, duke i dhënë fund serisë prej tetë fitoresh radhazi të madrilenëve në kampionat.

Me këtë sukses, Osasuna e çon në gjashtë ndeshje serinë pa humbje.

Fillimi ka qenë i kujdesshëm nga të dyja skuadrat, me Real Madrid që e ka mbajtur topin rreth shtatëdhjetë e dy përqind të kohës në pjesën e parë. Megjithatë, loja ka ndryshuar pas minutës së pesëmbëdhjetë, kur duele të ashpra, sidomos ato ku ka qenë i përfshirë Vinícius Junior i kanë ndezur tifozët vendas.

Rastin e parë serioz e ka pasur Ante Budimir, i cili fillimisht ka rrezikuar me një goditje me hark, ndërsa më pas e ka goditur edhe shtyllën me kokë. Portieri belg Thibaut Courtois ka bërë disa pritje spektakolare, por në një moment është gjykuar se ka shkaktuar faull ndaj Budimir në zonë. Kroati e ka marrë përgjegjësinë dhe ka shënuar nga pika e bardhë për 1-0.

Në pjesën e dytë, loja ika qenë e hapur. Arda Guler dhe Kylian Mbappe kanë rrezikuae seriozisht, ndërsa një gol i francezit është anuluar për pozitë jashtë loje.

Barazimi ka ardhur pas një aksioni të shpejtë: Federico Valverde ka asistuar dhe Vinicius Junior ka realizuar nga afërsia për 1-1. Real Madridi është hedhur në sulm për golin e fitores, por në minutën e fundit ka ardhur goditja përfundimtare.

Raul Garcia ka realizuar një gol individual për 2-1, duke shpërthyer festën në “El Sadar”.

Kjo disfatë jo vetëm që i ka dhënë fund serisë prej njëzet e katër ndeshjesh pa humbje të Real Madrid ndaj Osasunës (që nga janari 2011), por gjithashtu i ka hapur rrugën Barcelonës që të marrë kreun e tabelës nëse fiton ndaj Levante të dielën./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme