Ndeshja Lincoln-Prishtina do të zhvillohet

18:53 | 19 Gusht 2020

UEFA ka vendosur që ndeshja në mes të Prishtinës dhe Lincolnit do të zhvillohet

Këtë e ka konfirmuar për media klubi i kryeqytetit kosovar të cilët kanë thënë se ata kanë prezantuar fakte para UEFA, e ku këta kanë vendosur që ndeshja “duhet të zhvillohet”.

Në një komunikatë që FC Prishtina ka publikuar në Facebook është dhënë vendimi i saj që ndeshja të zhvillohet por jo me pjesëmarrës që ishin në Gibraltar.

“Pas argumentit të shpalosur të FC Prishtina, UEFA ka dhënë vendimin e saj që ndeshja duhet të zhvillohet. Prishtina do të përfaqësohet me skuadër tjetër dhe me jo pjesëmarrës që ishin në Gjibraltar. FC Prishtina publikisht falënderon skuadrat e Feronikelit, Llapit, Trepçës ’89, Flamurtarit, Ballkanit, Drenicës dhe Vushtrrisë që në mënyrë urgjente i kanë dal në ndihmë Prishtinës”, thuhet në këtë komunikatë.

Në të njëjtën kohë FC Prishtina ka thënë se i është gëzuar çdo rezultati të skuadrave kosovare në arenën ndërkombëtare sepse kjo gjë ndihmon futbollin kosovarë.

“Prishtina me përulje iu falënderon! Përndryshe, FC Prishtina po lufton që ndeshjen të shtyj për të shtunën më 22 gusht dhe jo të premten më 21 gusht siç kanë vendosur vendasit e Lincoln. FC Prishtina do të testojë të gjithë ekspeditën duke mos ia lënë asgjë rastit. Shpresojmë të na ecën fati dhe mos të kemi shqetësime më me të infektuar”, thuhet në fund të komunikatës.

Ndeshja në mes të Lincoln -Prishtina ishte paraparë të luhet dje (e martë) por tetë lojtarë të Prishtinës rezultuan me COVID-19. Kjo ndeshje zhvillohet në kuadër të rrethit preliminarë të Europa Ligë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara