Kazuyoshi Miura, golashënuesi më i vjetër në futbollin profesionist japonez, ka vendosur ta vazhdojë kontratën e tij me Yokohama FC edhe për një vit, ka lajmëruar klubi të hënën.
Miura, i njohur në Japoni si “Mbreti Kazu”, mbushë 54 vjet më 26 shkurt, një ditë para se të nisë edicioni në J.League. Do të jetë stinori i 17-të i Miuras me klubin të cilit iu bashkua në vitin 2005, raporton agjencia Reuters.
Ish-reprezentuesi i Japonisë së fundi shënoi kundër Thespakusatsu Gunmas në vitin 2017, në kategorinë e dytë të Japonisë, duke u bërë golashënuesi më i vjetër në futbollin profesionist japonez. Ai shënoi gol me 50 vjet e 14 ditë.
Stinori 2021 do të jetë i 36-i si profesionist për Miuran. Ai karrierën e nisi te Santosi në Brazil në vitin 1986.
Sulmuesi është një prej sportistëve më të adhuruar në Japoni dhe ishte një nga fytyrat kryesore të J.Leagues kur nisi në vitin 1993.
Ai kishte drejtuar Verdy Kawasakin drejt dy titujve në viti 1993 dhe 1994, para se të transferohej në Itali te Genoa, ku e kaloi një stinor. Ai pati periudha edhe në Kroaci e Australi, si dhe në klube tjera japoneze.
Miura fitoi Kupën e Azisë me Japoninë në vitin 1992, mirëpo nuk ishte ftuar te përfaqësuesja në debutimin në Kupën e Botës në Francë gjashtë vjet më vonë. Ai shënoi 55 gola në 88 ndeshje për Japoninë.
Yokohama FC është ngjitur në elitën e Japonisë në fund të stinorit 2019, por Miura ka luajtur vetëm katër ndeshje edicionin e kaluar.
Varroset Jahja Mustafa, babai i Calit
Sveçla dorëzon çelësat e objektit të ri të Agjencionit të Re...
Diagnostikohet rasti i parë me fruth në Shqipëri, i infektua...
Glauk Konjufca: Nga Shkupi, nuk lëshojmë pe
Glauk Konjufca takon banorët e Hanit të Elezit: Diskutuam ar...
Haradinaj prezanton në Rahovec planin katërvjeçar për zhvill...