Mbappe rikthehet në stërvitje para “El Clasicos”, në pritje të vendimit nëse do mund të luaj

16:03 | 4 Maj 2026
D.H

Me vëmendjen te ndeshja e së dielës në orën 21:00, Kylian Mbappé do t’i nënshtrohet të mërkurën një testi të fundit mjekësor për të përcaktuar nëse do të jetë i gatshëm për “El Clásico”.

Qëllimi i Real Madridit mbetet i qartë: të fitojë në stadiumin e Barcelonës dhe të shtyjë festën e mundshme të titullit për rivalin edhe për një javë.

Fillimisht, klubi njoftoi se bëhej fjalë për një mbingarkesë muskulore, por pas 48 orësh u vendos që t’i kryhen analiza shtesë për të kuptuar më saktë shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit. Rezultatet treguan se sulmuesi francez do të mbetet në dyshim serioz deri shumë afër ditës së ndeshjes.

Mbappé u rikthye dje në Madrid pas një udhëtimi të diskutueshëm gjatë fundjavës. Ai kishte udhëtuar në Cagliari të Sardenjës për pushim me partneren e tij, por mbërriti në kryeqytetin spanjoll vetëm 12 minuta para fillimit të ndeshjes që Real Madridi zhvilloi ndaj Espanyolit në Cornellà, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët madrilenë, shkruan Diario AS.

Sulmuesi tashmë ka rifilluar stërvitjet për t’u rikuperuar nga dëmtimi në muskulin semitendinoz të këmbës së majtë. Megjithatë, vetëm pas testit përfundimtar të së mërkurës do të dihet nëse ai do të jetë i gatshëm për përballjen e madhe në Barcelonë.

Kylian Mbappe është topgolashënuesi i La Ligas me 24 gola, tre më shumë se Vedat Muriqi i cili ka 21 sosh./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale