Lorik Cana së shpejti në Porto

21:19 | 23 Korrik 2015
M. A.

Ky sesion veror i merkatos po përfshin më shumë se asnjëherë lojtarët e kombëtares shqiptare, dhe një ndër më të përfolurit është kapiteni Lorik Cana.

32 vjeçari i ka ndërprerë lidhjet me Lazion dhe është vendosur në kërkim të një skuadre të re. Fillimisht interes për mbrojtësin kuqezi shfaqi ish-klubi i tij Marseilla, ndërsa sot janë portugezët e Portos që duken më pranë ish-kapitenit të Sunderlandit.

E përditshmja italiane “La Repubblica” shkruan se klubi “bardheblu” sheh tek Cana një element që mund ti shërbejë shumë trajnerit Lopetegi, kjo falë eksperiencës që Cana ka akumuluar ndër vite duke qenë se ka provuar të luaj në liga të ndryshme evropiane, nga ajo franceze, në Premier League, në kampionatin turk dhe së fundmi në serinë A.

Për momentin nuk ka asgjë zyrtare dhe drejtuesit e Portos ende nuk kanë nisur bisedimet me vetë lojtarin, por fakti që klubi portugez nuk duhet të paguajë për kartonin e tij mund ta bëjë më të thjeshtë këtë transferim.

Sigurisht do të ishte një eksperiencë tërheqëse edhe për vetë kapitenin kuqezi, i cili ndër të tjera do të ishte bashkëlojtarë me një prej legjendave të futbollit evropian si Iker Casillas, spanjolli pas 25 vitesh i tha lamtumirë Realit të Madridit.

Ditët në vazhdim do të zbulojnë nëse interesi i Portos do të intensifikohet, apo do të mbetet thjesht një sondazh.

 

Shpërndaje në rrjete sociale