Loftus-Cheek poston foto me dhëmbët që i mungojnë, pas përplasjes me portierin e Parmës

20:14 | 23 Shkurt 2026
D.H

Ruben Loftus-Cheek ka publikuar fotografi nga pasojat e përplasjes së rëndë me Edoardo Corvin gjatë humbjes 1-0 të Milanit ndaj Parmës të dielën mbrëma.

Mesfushori anglez pësoi disa dhëmbë të humbur dhe frakturë të kockës alveolare në nofull pas një përplasjeje të fortë me portierin Corvin në minutën e 11-të të ndeshjes në “San Siro”.

Ish-lojtari i Chelseat, Crystal Palacet dhe Fulhamit u largua nga fusha me barrelë dhe me jakë mbrojtëse për qafën, për t’u dërguar më pas në një qendër mjekësore për ekzaminime të detajuara.

Të hënën ai u transferua në repartin specialist të kirurgjisë maksilofaciale në spitalin “San Paolo” në Milano, ku iu nënshtrua një operacioni urgjent për të riparuar dëmtimin në nofull. Klubi ka konfirmuar se rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë pas rreth tetë javësh.

Njëkohësisht me komunikatën zyrtare të Milanit, Loftus-Cheek reagoi edhe në “Instagram”, duke shkruar: “Ishte një goditje e fortë, por më e keqja ka kaluar. Falënderime të përzemërta për të gjithë stafin mjekësor që më mbështeti me profesionalizëm dhe kujdes gjatë këtyre orëve. Një falënderim i veçantë për të gjithë tifozët për mesazhet e shumta të dashurisë dhe mbështetjes. I kam lexuar, i kam ndjerë dhe më kanë dhënë forcë të jashtëzakonshme.

Faleminderit bashkëlojtarëve të mi: Ne jemi një ekip. Jemi një familje. Tani përpara drejt objektivave tona, të fortë dhe të bashkuar. Së bashku”.

Loftus-Cheek ndau gjithashtu dy fotografi “para dhe pas” operacionit, ku shihet me një buzëqeshje disi të shtrembëruar pas ndërhyrjes kirurgjikale.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme