“Këto janë netët për të cilat jetojmë nëse nuk i ndjen këto, duhet ta lësh futbollin” – Gattuso flet para finales me Bosnjën

21:44 | 30 Mars 2026
D.H

Gennaro Gattuso, së bashku me portierin Gianluigi Donnarumma, ka folur nga Zenica për emocionet dhe presionin e finales së “play-off”-it që Italia e luan kundër Bosnjës.

Ndeshja zhvillohet nesër mbrëma ku fituesi siguron pjesëmarrjen në Botëror, ndërsa humbësi mbetet jashtë.

“Kush luan futboll apo është trajner jeton për net të tilla, me tension dhe emocione. Nëse nuk i ndjen këto, duhet ta lësh futbollin. Luajmë shumë, e dimë mirë – kemi munguar në dy Botërorët e fundit – por duhet të menaxhojmë energjitë dhe t’i japim maksimumin në fushë,” u shpreh Gattuso.

Ai theksoi përgjegjësinë e madhe, por edhe nevojën për të qëndruar të fokusuar.

“Nuk mund të mendoj për të ardhmen, duhet t’u japim besim lojtarëve. Ky grup është përmirësuar shumë. Nuk ka rëndësi nëse jemi më pak spektakolarë – historia jonë tregon se me mentalitet dhe sakrificë kemi arritur gjëra të mëdha.”

Gattuso foli edhe për kundërshtarin dhe trajnerin e tyre, duke theksuar cilësinë dhe karakterin e Bosnjës. Ai madje komentoi edhe deklaratat e Edin Džeko, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të afërt.

“Kemi folur për dy muaj rresht kur isha në Split, kemi krijuar një raport të jashtëzakonshëm. Është një profesionist i rrallë. Fjalët e tij nuk ishin të zakonshme, është një kampion i madh dhe një njeri i madh.”

Në konferencë, Gattuso u ndal edhe te aspekti mental, duke e cilësuar si vendimtar.

“Ndonjëherë kemi qenë më të mirët edhe pa qenë më të fortët, falë mentalitetit dhe sakrificës. Nesër duhet e njëjta gjë. Ndeshje të tilla janë të vështira, sidomos kur e di që nuk ke të drejtë gabimi.”

Ai ishte i prerë edhe për kushtet e fushës.

“Të flasësh për terrenin është për të dobëtit. Asnjë justifikim.”

I pyetur për pasojat e mundshme nëse Italia dështon, Gattuso u shpreh i rezervuar.

“Do të ishte një zhgënjim i madh, një goditje e rëndë. Do të marr përgjegjësitë e mia, por për këtë flasim më pas. Tani nuk është momenti”, tha ai.

Ndeshja mes Bosnjës dhe Italisë luhet nga ora 20:45./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale