Joao Pedro pas dështimeve të Chelseas: Faji është te ne lojtarët, jo te trajneri

10:07 | 5 Maj 2026
D.H

Sulmuesi brazilian Joao Pedro ka reaguar ashpër pas humbjes së rëndë të Chelseas me rezultat 3-1 ndaj Nottingham Forest, duke kërkuar përgjegjësi nga të gjithë lojtarët për krizën e ekipit.

Humbja në “Stamford Bridge” ka goditur rëndë shpresat e Chelseat për një vend në UEFA Champions League, ndërsa londinezët tashmë kanë regjistruar gjashtë humbje radhazi në Premier League.

Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për “Blutë”, të cilët pësuan gol pas vetëm 98 sekondash një moment që, sipas Pedros, përcaktoi gjithçka.

“Pësuam shumë herët dhe kundër një skuadre si Forest është shumë e vështirë ta kthesh ndeshjen. Duhet të bëjmë më mirë,” deklaroi ai për Sky Sports.

Pedro nuk kurseu kritikat ndaj skuadrës, duke refuzuar të fajësojë trajnerin e përkohshëm Calum McFarlane.

“Secili duhet të shikojë veten edhe unë. Nuk është çështje trajneri, por e lojtarëve. Është përgjegjësia jonë të reagojmë,” u shpreh braziliani.

Ai gjithashtu kërkoi falje ndaj tifozëve për paraqitjen zhgënjyese dhe premtoi analizë të thellë të gabimeve.

“Më vjen keq për tifozët. Duhet të gjejmë një mënyrë për të mos i përsëritur këto gabime çdo ndeshje,” shtoi ai.

Me sezonin që po shkon drejt fundit, Chelsea rrezikon të mbetet jashtë garave evropiane. Fitorja ndaj Forest do t’i mbante në garë për Top 5, por tani situata është komplikuar ndjeshëm.

“Motivimi është gjithmonë aty. Nëse fitonim sot, do të ishim në garë për Champions League. Tani është më e vështirë, por duhet të luftojmë për çdo pikë,” theksoi Pedro.

Atmosfera në stadium u tensionua gjatë ndeshjes, me tifozët që shprehën pakënaqësinë për gabimet e shumta individuale.

Megjithatë, sipas Pedros, skuadra është e vetëdijshme për situatën dhe po punon për ta përmirësuar.

“Flasim vazhdimisht mes vete për të gjetur zgjidhje dhe për të rikthyer fitoret,” përfundoi ai.

Chelsea aktualisht është i nënti me 48 pikë, dhe është 10 pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve.

Teksa Joao Pedro, është lojtari më i dalluar i Chelseat me 15 gola e pesë asistime këtë edicion./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale