Joan Laporta do jap dorëheqje nga posti i presidentit të Barcelonës

18:38 | 3 Shkurt 2026
D.H

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se të hënën, më 9 shkurt 2026, do të japë dorëheqje nga posti i tij për të hapur zyrtarisht rrugën e kandidimit për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të klubit, të planifikuara për të dielën, më 15 mars 2026.

Në një deklaratë institucionale të shpërndarë përmes kanaleve zyrtare të klubit katalanas, Laporta sqaroi se, në përputhje me statutet e Barcelonës, ai dhe disa anëtarë të Bordit Drejtues janë të detyruar të japin dorëheqjen për t’u kandiduar në procesin zgjedhor.

Ndërkohë, një pjesë tjetër e drejtuesve, me në krye nënkryetarin Rafael Yuste, do të vazhdojnë detyrën për të administruar punët e përditshme të klubit dhe për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Laporta e bëri këtë njoftim gjatë udhëtimit me ekipin e parë të Barcelonës për ndeshjen çerekfinale të Copa del Rey ndaj Albacetes.

Duke folur për të ardhmen sportive, Laporta u shpreh i qartë edhe sa i përket vazhdimit të bashkëpunimit me trajnerin Hansi Flick, duke theksuar se ai do të mbetet në detyrë për aq kohë sa të dëshirojë vetë.

Presidenti blaugrana u shfaq i motivuar dhe optimist për fushatën zgjedhore, duke u përshkruar si “i emocionuar dhe plot energji”, si dhe duke shprehur dëshirën që procesi të karakterizohet nga pjesëmarrje e lartë, korrektësi dhe normalitet institucional.

Ai përmendi gjithashtu kandidaturat e shpallura dhe ato të mundshme, mes tyre Víctor Font, Marc Ciria, Xavi Vilajoana dhe Joan Camprubí Montal, duke u bërë thirrje të gjithëve që t’i prezantojnë projektet e tyre me respekt dhe përgjegjësi ndaj klubit.

Sa i përket periudhës tranzitore, Laporta nënvizoi se anëtarët e mbetur të Bordit do të kenë për detyrë të garantojnë një proces zgjedhor shembullor, duke shprehur dëshirën që zgjedhjet të shndërrohen në “një festë për anëtarësinë”.

Në fund, ai foli edhe për kandidaturën e Barcelonës për të organizuar finalen e Ligës së Kampionëve 2029 në Camp Nou-n e rinovuar, duke theksuar se puna institucionale e klubit vazhdon pa ndërprerje dhe se shpreson që propozimi i Barcelonës të shpallet fitues. Nëse kjo ndodh, Laporta shprehu dëshirën që klubi të jetë pjesë e finales në stadiumin e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale