Isak dyshohet se e ka thyer këmbën

23:08 | 21 Dhjetor 2025
D.H

Alexander Isak raportohet se ka pësuar thyerje në këmbë gjatë përballjes së Liverpoolit ndaj Tottenhamit të shtunën. Sulmuesi suedez u rrëzua menjëherë pas shënimit të golit të parë në fitoren 2-1 kundër Spurs, që e mbyllën ndeshjen me nëntë lojtarë.

Mbrojtësi i Tottenhamit, Micky van de Ven, e goditi Isakun në momentin pas goditjes së topit drejt rrjetës. 26-vjeçari mbeti i shtrirë në fushë dhe mori trajtim për këmbën e majtë, por nuk arriti ta vazhdonte ndeshjen.

“Duhet të presim dhe të shohim,” u shpreh trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, pas ndeshjes. “Por kur një lojtar shënon dhe më pas dëmtohet dhe nuk provon të rikthehet në fushë, zakonisht nuk është shenjë e mirë.”

Sipas një raportimi të The Athletic, bëhet fjalë për një dyshim serioz për thyerje të këmbës, dhe në kampin e Liverpoolit ka shqetësim të madh për shkallën e dëmtimit. Isak mund të mungojë për disa muaj, duke rrezikuar seriozisht pjesën e mbetur të sezonit.

Isak, transferimi rekord britanik prej 125 milionë paundësh, e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në fillim të pjesës së dytë, duke zëvendësuar Conor Bradley. Ai arriti të shënojë golin e tij të tretë në 16 paraqitje këtë sezon, por gëzimi u zbeh shpejt nga dëmtimi.

Ende nuk dihet se kur suedezi do të rikthehet në fushë, por mungesa e tij pritet të jetë një goditje e madhe për Liverpoolin në vazhdim të sezonit.

Shpërndaje në rrjete sociale