Inter ngec sërish, këtë herë në transfertën e vështirë ndaj Romës në “Olimpico”, ku nuk shkoi përtej barazimit 2-2 dhe tani e sheh Milanin t’i shkëputet me 3 pikë më tepër në kreun e renditjes.
Zikaltrit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe i shkuan pranë golit në 2-3 momente, por e para në avantazh kaloi Roma, teksa në minutën e 17’,pas një kundërsulmi të shpejtë, Pellegrini gjuajti nga distance, ndërsa topi u devijua edhe me fat në këmbët e Bastonit dhe përfundoi në rrjetë.
Që nga ai moment sfida u luajt vetëm në gjysmëfushën e verdhekuqve, teksa goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 56’, me Milan Skriniar që kërceu më shumë se të gjithë gjatë një këndoreje dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Pau Lopez.
Vetëm 7 minuta më vonë ishte anësori maroken Achraf Hakimi, që lëvizi bukur nga krahu dhe lëshoi një gjuajtje fantastike me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetën e portës së Romës dhe duke i dhënë avantazhin Interit.
Vijojnë minutat e mira për zikaltrit, teksa Hakimi, e Vidal kanë në këmbë edhe golin e tretë, por shpërdorojnë në mënyrë të pabesueshme, ndërsa më pas është radha e trajnerit Conte që të gabojë me zëvendësimet e tij.
Largimi I lojtarëve si Lautaro, Vidal e Hakimi, për Perisic, Kolarov e Gagliardini uli ndjeshëm forcën sulmuese të zikaltërve, ndërsa nga kjo përfitoi maksimalisht Roma, që pas disa tentativave radhazi, gjeti golin në minutën e 86’ me anë të Mancinit.
Nga ai moment e deri në fund duket se të dy skuadrat u pajtuan me barazimin dhe bënë shumë pak për të provuar fitoren, ndërsa vërshëllima finale e Di Bello-s bëri që Roma e Interi të ndajnë nga një pikë dhe të ruajnë pozitat e tyre në renditje./Arbresh.info/
50 aksidente trafiku gjatë 24- orëve të fundit në Kosovë
Siriani i therur në Leposaviq, dërgohet në Kirurgjinë Toraka...
Pacolli kujton fjalët e gjyshit të tij: Gjithçka në jetë kër...
Policia jep detaje: Si u lirua pengu nga Mitrovica në Vlorë,...
Kosova nis pranimin e migrantëve të deportuar nga ShBA-ja
Kapen dy ushtarë të Ervis Martinajt, operacion i RENEA-s