Hansi Flick kërkon përforcime, Barcelona i “sakrifikon” dy yje

23:25 | 22 Shkurt 2026
D.H

Vera pritet të jetë shumë e ngarkuar për Barcelona, e cila synon përforcime të rëndësishme për skuadrën e trajnerit Hansi Flick. Por po aq e rëndësishme do të jetë largimi i lojtarëve jashtë planeve, detyrë që i është besuar drejtorit sportiv Deco.

Barcelona shpreson të finalizojë rikthimin te rregulli 1:1 i La Liga para fundit të sezonit, gjë që do t’i bëjë shitjet e lojtarëve edhe më vendimtare pasi do të hapte më shumë hapësirë financiare. Deco tashmë ka identifikuar dy futbollistë që dëshiron të largohen gjatë afatit kalimtar të verës.

Sipas raportimeve, ai është i prirur që Marc-Andre ter Stegen dhe Ansu Fati të largohen përfundimisht nga Barcelona. Të dy aktualisht janë në huazim, përkatësisht te Girona dhe AS Monaco, dhe nuk pritet të riintegrohen në skuadrën e parë pas kthimit në Kataloni në fund të sezonit.

Monaco ka opsion blerjeje për Fatin, por gjasat janë që të mos e aktivizojë. Nëse Barcelona arrin të largojë si atë ashtu edhe ter Stegen gjatë verës, do të lirohej një hapësirë e konsiderueshme në pagë, e cila mund të përdoret për regjistrimin e përforcimeve të reja.

Daljet do të jenë vendimtare për Barcelonën këtë verë. Fati dhe ter Stegen konsiderohen pjesë e kësaj kategorie, ndërsa e njëjta gjë pritet të thuhet edhe për Robert Lewandowski, kontrata e të cilit nuk pritet të zgjatet para se të skadojë në qershor.

Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet afati veror për Barcelonën, që synon goditje të mëdha në merkato, por njëkohësisht duhet të largojë lojtarët që nuk kanë të ardhme në “Spotify Camp Nou”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme