Mesfushori i Bayern Munich, Leon Goretzka, ka folur para përballjes së madhe ndaj Real Madrid në “Bernabéu”, duke dhënë një mesazh të qartë: bavarezët synojnë gjithçka këtë sezon.
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Goretzka konfirmoi se kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në “Santiago Bernabéu” me fanellën e Bayernit, pasi në verë pritet të largohet nga skuadra gjermane.
“Gjatë dimrit mora vendimin e vetëdijshëm të qëndroj këtu deri në verë. Kam ndjesinë se këtë sezon gjithçka është e mundur”, u shpreh ai.
Bayerni po kalon një edicion shumë të mirë dhe mesfushori gjerman tregoi edhe “sekretin” e suksesit të skuadrës.
“Lojtarët e duhur janë në vendin e duhur, me trajnerin e duhur dhe në klubin e duhur. Jam 100% i bindur se mund ta fitojmë gjithçka këtë vit, edhe pse e di sa e vështirë është. Por do ta provojmë”, deklaroi Goretzka.
Ai kujtoi edhe ndeshjen e parë në “Bernabéu”, në mars të vitit 2015 me Schalke 04.
“Asokohe na mungoi vetëm një gol për kualifikim. Benedikt Höwedes pati një rast të madh në fund. Ishte ndeshja ku Leroy Sané tregoi për herë të parë potencialin e tij. Edhe pse nuk ia dolëm, ishte një kujtim i bukur sepse tifozët e Bernabéut na duartrokitën në fund”, kujtoi ai.
Goretzka nuk harroi as vizitën e fundit në Madrid, që e cilësoi si “makth”, kur Reali fitoi me dy golat e vonshëm të Joselu.
“Fatkeqësisht, me Thomas Tuchel, patëm atë ndeshje kur mendonim se ishim tashmë në finale. Në fund nuk mjaftoi”, tha ai.
Mesfushori theksoi se statistikat e viteve të fundit nuk janë në favor të Bayernit ndaj Realit, por beson se kjo mund të ndryshojë.
“Kohët e fundit nuk kemi pasur shumë suksese ndaj Real Madridit. Duam ta përmirësojmë këtë”, u shpreh ai.
Në fund, ai vlerësoi kundërshtarin duke e quajtur një gjigant të futbollit evropian.
“Për një gjerman, Real Madridi gjithmonë tingëllon si Liga e Kampionëve. Ata janë kampionët e kësaj gare dhe skuadra dominuese në 10-15 vitet e fundit. Kanë cilësi të jashtëzakonshme individuale. Ndonjëherë janë shumë të mirë, ndonjëherë jo aq, por në Champions zakonisht japin maksimumin. Ne do të jemi gati për këtë sfidë”, përfundoi Goretzka.
Ndeshja çerekfinale mes Real Madridit dhe Bayern Munich luhet nesër me fillim nga ora 21:00./Arbresh.info
Tensione në ndeshjen Rilindja 1974 – Trepça, u desh ndërhyrj...
“Heroi” i penalltive, 14-vjeçari nga Bosnja pritet të shpërb...
Duam drejtësi, duam drejtësi! Nuk ka shtet pa rini/ Studentë...
Ulutash pret gjeneralin grek, diskutojnë për sigurinë në Kos...
Protesta e studentëve shqiptarë në RMV, Haradinaj: E drejta ...
Sermaxhaj publikon listën e futbollisteve të ftuara për dy n...