Gjermania me foto speciale para ndeshjes: Të drejtat e njeriut nuk negociohen

15:04 | 23 Nëntor 2022
K.B

Kombëtarja e Gjermanisë ka lëshuar një mesazh të fuqishëm para fillimit të ndeshjes së sotme kundër Japonisë.

Kombëtarja gjermane i dha startin sot kampanjës së saj në Kampionatin Botëror 2022 dhe morën vëmendjen me fotografinë e bërë para ndeshjes.

Në këtë fotografi, e gjithë skuadra doli duke mbyllur gojën dhe kjo ishte një lloj proteste për ndalesën e shiritave të kapitenit me mbishkrimin ‘Një dashuri’.

Cili është mesazhi? Ja çfarë thotë faqja zyrtare e DFB (Federatës Gjermane të Futbollit).

“Ne donim të përdornim shiritin e kapitenit tonë për të mbajtur qëndrim për vlerat që mbajmë në kombëtaren e Gjermanisë: diversitetin dhe respektin reciprok. Së bashku me kombet e tjera, ne donim që zëri ynë të dëgjohej.

Nuk bëhej fjalë për një deklaratë politike – të drejtat e njeriut janë të panegociueshme. Kjo duhet të merret si e mirëqenë, por ende nuk është kështu. Kjo është arsyeja pse ky mesazh është kaq i rëndësishëm për ne.

Të na mohosh shiritin është njësoj si të na mohosh një zë. Ne i qëndrojmë qëndrimit tonë.”, thuhet në reagimin e Gjermanisë.

Kujtojmë se Katari ka ndaluar secilën pankartë ose flamur apo çfarëdo shenje që lidhet me komunitetin LGBTQ+ dhe tifozët e këtij komuniteti nuk janë të mirëpritur në Kupën e Botës 2022.

Shpërndaje në rrjete sociale