Foda optimist para ndeshjes me Sllovakinë, flet edhe për tifozët dardan

19:07 | 19 Mars 2026
D.H

Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka folur për mediumin “Kronen Zeitung”, ku ka theksuar se skuadra është përgatitur me intensitet të lartë për ndeshjen vendimtare ndaj Sllovakisë.

“Unë dhe ndihmëstrajnerët e mi kemi udhëtuar shumë gjatë muajve të fundit, duke vëzhguar lojtarët tanë”, ka deklaruar 59-vjeçari, duke shtuar se objektivi është i qartë.

“Kur arrin deri këtu, natyrshëm dëshiron të bësh hapin tjetër. Javën tjetër do të përballemi me Sllovakinë në udhëtim. Nëse kualifikohemi më tej, do të kemi një ndeshje në shtëpi kundër fituesit të duelit Turqi – Rumani”, ka thënë ai për mediumin austriak “Kronen Zeitung”.

Kosova ka arritur në këtë fazë pas një ecurie mbresëlënëse në grup, ndërsa Foda e vlerëson kundërshtarin si shumë të fortë, sidomos në shtëpi.

“Sllovakët janë jashtëzakonisht të fortë në shtëpi, gjë që tregoi edhe fitorja e tyre kundër Gjermanisë. Por tani kemi më shumë lojtarë cilësorë në skuadër. Opsionet dhe cilësia janë rritur me ardhjen e Fisnik Asllanit, Leon Avdullahut dhe Albion Hajdarit. Ne kemi fituar tashmë jashtë vendit kundër Suedisë, Sllovenisë dhe Islandës. Kështu që kemi shumë besim. Do të thosha gjasat janë 50 me 50”, theksoi Foda.

Trajneri gjerman ka folur edhe për atmosferën dhe mbështetjen e madhe që gëzon Kombëtarja e Kosovës.

“Rrugës për në redaksinë tuaj, dy kosovarë që jetojnë në Graz më ndalën në rrugë dhe më uruan suksese. Kjo tregon se të gjithë janë në ankth. Është e jashtëzakonshme sa shumë tifozë udhëtojnë me ne. Ndihemi si në shtëpi kudo. Në Suedi gjysma e stadiumit ishte me kosovarë. Kjo i jep ekipit energji të madhe”, u shpreh ai.

Foda shtoi se askush nuk e priste që Kosova të arrinte në këtë fazë në një grup me kundërshtarë të fortë, ndërsa theksoi se ekipi e ka merituar plotësisht këtë sukses.

Sa i përket një kualifikimi të mundshëm në Kupën e Botës 2026, ai u tregua i kujdesshëm.

“Jo, nuk mund të bëjmë plane përpara ndeshjeve kualifikuese. E vetmja gjë e sigurt është se kampi ynë do të vendoset mes Los Angelesit dhe San Franciscos. Nëse shkojmë në Kupën e Botës, do të doja të flija në një hotel për të rinj”, deklaroi ai me humor.

Kosova synon një arritje historike, ndërsa përballja me Sllovakinë pritet të jetë testi më i madh deri më tani për skuadrën e drejtuar nga Foda.

Shpërndaje në rrjete sociale