Flick para sfidës ndaj Newcastle: Duhet ndeshje perfekte, Yamal mund të bëjë diferencën

20:32 | 17 Mars 2026
D.H

Trajneri i Hansi Flick doli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së rëndësishme të Barcelonas ndaj Newcastle United, që do të zhvillohet në Spotify Camp Nou, në kuadër të sfidës së kthimit për 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Tekniku gjerman paralajmëroi një përballje të vështirë, duke vlerësuar lart kundërshtarin.

“Do të jetë një ndeshje e fortë. Ata bëjnë presion të lartë dhe janë shumë të fuqishëm fizikisht. Në tranzicion janë të shpejtë, ndaj ne duhet të bëjmë një ndeshje perfekte”, u shpreh Flick.

Sa i përket të ardhmes së tij, trajneri nuk dha një përgjigje të prerë për rinovimin.

“Nuk është momenti i duhur për të folur për këtë. Jam shumë i lumtur këtu, por duhet të flas me familjen time. Ka kohë për këto çështje.”

Flick foli edhe për takimin me presidentin Joan Laporta, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në klub.

“Është e rëndësishme të kemi një strukturë të fortë. Kjo na jep stabilitet dhe besim.”

Ai përmendi gjithashtu filozofinë e klubit, duke rikujtuar ndikimin e Johan Cruyff.

“Barça nuk është vetëm për të fituar, por për mënyrën si fiton. Fryma e ekipit është gjëja më e rëndësishme.”

Në lidhje me shanset në Champions League, Flick u shpreh realist, por optimist.

“Futbolli ndryshon shpejt. Kemi shumë cilësi në skuadër, por duhet të përmirësohemi nëse duam të fitojmë.”

Një nga lojtarët kyç për këtë sfidë pritet të jetë Lamine Yamal, për të cilin Flick ka besim të plotë.

“Ai mund të bëjë diferencën. Ka bërë një stërvitje fantastike dhe është shumë i motivuar.”

Trajneri nuk përjashtoi as variante taktike, duke përmendur mundësinë që Dani Olmo të luajë si “9 fals”, ndërsa theksoi rëndësinë e formës së sulmuesve si Ferran Torres dhe Robert Leëandoëski deri në fund të sezonit.

Në fund, Flick tregoi edhe një zakon të veçantë të tij.

“Nuk i shikoj penalltitë kur goditen. Pastaj i shoh në iPad. Është mënyra ime dhe më funksionon.”

Kujtojmë se ndeshja e parë në Angli u mbyll 1-1, me Barcelonën që barazoi ndeshjen në fund të takimit pas një penalltie të Lamine Yamal./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale