“Fitorja ndaj Serbisë, pak më e ëmbël si shqiptar” – Edon Maxhuni rrëfen përvojën e tij me Finlandën në EuroBasket

13:38 | 11 Shtator 2025
E.K

EuroBasket 2025 është një turne i surprizave dhe Edon Maxhuni është pjesë e tyre. Ai është ndër liderët e një Finlande që po shkëlqen në mënyrë të papritur, por shumë të merituar. Në parket po jep gjithçka, ndërsa jashtë tij flet me qartësi për përgjegjësinë që ndjen, për rrugëtimin e tij profesional dhe për dëshirën që një ditë të luajë edhe në Kosovë.

Në këtë intervistë për Telegrafin, Maxhuni flet për emocionet e suksesit me Finlandën, fitoren ndaj Serbisë që e quan “pak më të ëmbël si shqiptar”, formën e tij individuale në turne, synimet me klubin e tij në Francë, lidhjen e vazhdueshme me basketbollin kosovar dhe ëndrrën për të fituar titullin edhe në vendlindje.

Finlanda ka bërë histori duke u kualifikuar në gjysmëfinale të EuroBasketit, pasi eliminoi Gjeorgjinë. Edon Maxhuni shprehet se kjo nuk është maksimumi i ekipit që ai përfaqëson.

“Mendoj që është një arritje shumë e madhe për basketbollin finlandez. Kemi bërë histori me kualifikimin në gjysmëfinale. Synojmë natyrisht medalje dhe mendoj që kemi shanse reale për ta fituar titullin,” ka deklaruar fillimisht Maxhuni.

Gjatë rrugëtimit deri në këtë fazë, Finlanda ia doli që ta eliminojë me plot meritë Serbinë. Për Maxhunin, si basketbollist shqiptar, kjo fitore pati një shije më të ëmbël sesa për bashkëlojtarët e tij.

“Besoj që askush nuk e ka pritur që Finlanda do të arrijë këtë sukses, e aq më pak që do të eliminojmë Serbinë. Normalisht, ishte një ndjenjë fantastike. Si shqiptar, kjo fitore ishte pak më e ëmbël sesa për finlandezët,” tha ai.

Maxhuni deri më tani po shfaq statistika mjaft impresive në EuroBasket, duke kontribuar me një mesatare prej 15 pikësh për ndeshje.

“Paraqitjet e mia individuale në këtë turne kanë qenë të mira dhe jam i kënaqur me mënyrën se si kam luajtur në çdo ndeshje. Jam duke e rritur nivelin e performancës dhe besoj që në këto dy ndeshjet e fundit, në gjysmëfinale dhe, shpresoj, në finale, duhet ta rris edhe më shumë nivelin tim për të ndihmuar ekipin drejt fitores së titullit të parë.”

27-vjeçari këtë sezon do të veshë fanellën e Gravelines-Dunkerque, që garon në elitën e basketbollit francez. Ai tregoi për objektivat që synon të arrijë me klubin.

“Synimet me ekipin Gravelines në Francë janë që të arrijmë në play-off dhe më pas të kemi sa më shumë sukses aty. Sezoni është i gjatë dhe besoj që do të kem paraqitje të mira për të ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave.”

Në vazhdim, Maxhuni zbulon se ai e ndjek Superligën e Kosovës në basketboll, duke shtuar se pret që niveli i kampionatit të rritet në vitet e ardhshme.

“E ndjek Superligën e Kosovës. Besoj që niveli ende nuk është në shkallën më të lartë, por Federata e Kosovës po bën një punë të mirë dhe çdo vit niveli i basketbollit është duke u ngritur. Mendoj që brenda pak vitesh do të bëhet një ligë e mirë dhe shpresoj që Kombëtarja e Kosovës të ketë suksese të vazhdueshme.”

Gjatë kësaj vere pati zëra se Maxhuni ka marrë disa oferta nga klubet kosovare. Ai i konfirmoi këto thashetheme, duke lënë të hapur mundësinë që një ditë të luajë në Kosovë.

“Çdo vit marr disa oferta nga ekipet kosovare dhe besoj që një ditë do të luaj në Superligën e Kosovës. Është një nga synimet e mia që në të ardhmen të fitoj titullin kampion atje,” përfundoi ai.