Google ADS

Drita e fitoi derbin e Anamoravës dhe e mori primatin, dështuan Ballkani e Prishtina

15:06 | 12 Mars 2023
A Z

Drita e ka marrë primatin në Superligën e Kosovës në futboll.

“Intelektualët” e fituan derbin e Anamoravës pasi e mposhtën rivalin lokal, Gjilani me rezultat 1:0.

Golin e fitores për ekipin e kaltër e shënoi Blend Baftiu në fund të pjesës së parë pasi e mori një top nga Besnik Krasniqi.

Gjilani i pati disa raste të mira shënimi, por nuk ia doli të realizonte, në ndeshjen e zhvilluar pa praninë e shikuesve, shkruan “Gazeta Express”.

Drita tash e ka një pikë më shumë se Ballkani, i cili e humbi primatin pas një kohe të gjatë.

Therandasit po kalojnë në momente krize pasi pësuan humbje pa tri barazimesh radhazi.

Ata u mposhtën nga Llapi, 2:3, në një ndeshje spektakolare dhe me plot kthesa.

Festim Alidema i kaloi vendësit në epërsi në minutat e parë të lojës pasi shënoi nga penalltia.

Më pas, kampioni aktual përmbysi gjithçka brenda pak minutash.

Albion Rrahmani shënoi nga 11 metërshi në fillim të pjesës së dytë.

Kurse, Meriton Korenica i kaloi udhëtuesit në epërsi momentale pas pak minutash.

Por, llapjanët nuk u dorëzuan assesi dhe rikthyen gjithçka në të mirë të tyre brenda pak minutash.

Adem Maliqi e barazoi rezultatin kurse Bianor Neto ia siguroi fitoren ekipit të Tahir Batatinës.

Në këtë xhiro humbi edhe Prishtina, e cila u mposht në shtëpi nga Malisheva, 1:2.

Ronald Sobowale i kaloi udhëtuesit në epërsi në fillim të lojës që u zhvillua në Lipjan.

Kurse, Drilon Hazrollaj e ngriti epërsinë e Malishevës 10 minuta pa përfunduar loja.

Nga ana tjetër, ekipi i Ismet Munishit arriti ta ngushtonte rezultatin në minutën e 84-t me anë të Shefit Shefitit.

Prishtinasit luajtën thuajse në krejt pjesën e dytë me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Ramadanit.

Kjo humbje e lë Prishtinën edhe më larg garave evropiane, por që këtë ekip e gëzon fakti se edhe Gjilani, i cili është i treti në tabelë, nuk arriti të fitonte.